Presidenti Bajram Begaj, ka pritur këtë të martë (6 maj) në një takim Ambasadorin Lamberto Zannier, kryesues i misionit të vëzhgimit të OSBE-ODIHR-it për zgjedhjet.
Biseda mes dyshes u fokusua në procesin zgjedhor të 11 majit, ndërsa u theksua rëndësia e zhvillimit të një procesi të drejtë, të lirë e të ndershëm. Presidenti u njoh me gjetjet e deritanishme të OSBE-ODIHR-it, ndërsa përgëzoi këtë mision që ka përfshirë në vëzhgimin e zgjedhjeve parlamentare në Shqipëri edhe organizata të tjera të rëndësishme ndërkombëtare.
“Me kryesuesin e misionit të vëzhgimit të zgjedhjeve në Shqipëri të OSBE-ODIHR-it, Lamberto Zannier, diskutuam për zgjedhjet e 11 majit dhe rëndësinë e një procesi të lirë, të drejtë e të ndershëm”, shkroi Begaj në rrjetin social Facebook.
Gjatë bisedës më Ambasadorin Zannier, Begaj vlerësoi përfshirjen për herë të parë në histori të Diasporës në votime, duke mundësuar shprehjen e vullnetit të lirë nëpërmjet votës, njofton rtsh.