Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë, Elisa Spiropali, gjatë vizitës së saj në Kosovë zhvilloi një takim zyrtar me homologun e saj Glauk Konjufca.
Në konferencën për media pas takimit, Spiropali theksoi rëndësinë historike dhe strategjike të marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Kosovës.
“Në vizitën time të parë si ministre e Jashtme menjëherë pas formimit të qeverisë së re, i uroj suksese në konsolidimin e institucioneve demokratike, forcimin e shtetit të Kosovës dhe mirëqenien e qytetarëve të saj. Për ne, Kosova nuk është vetëm protokoll, por histori dhe zgjedhje politike. Marrëdhënia Shqipëri-Kosovë është vijimësi e një rrugëtimi të përbashkët, të skalitur në sakrificë, qëndresë dhe vendosmëri historike për përparim kombëtar”, deklaroi Spiropali.
Ministrja përmendi gjithashtu momentin e vitit 1999 si një pikë referimi ku bota njohu padrejtësitë, por edhe dinjitetin e një populli që kërkonte lirinë.
“Viti 2026 duhet të jetë momenti i konsolidimit të plotë të subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës dhe mbylljes përfundimtare të çdo paqartësie historike për vendin e saj në Evropë”, shtoi ajo.
Për ministrin Glauk Konjufca, koordinimi i ngushtë me Shqipërinë është çelësi për avancimin e aspiratave ndërkombëtare të Kosovës.
“E falënderova Spiropalin si gjithnjë për mbështetjen që Republika e Shqipërisë i ka dhënë Kosovës dhe shtetndërtimit tonë, si dhe për përfaqësimin e interesave tona në arenën ndërkombëtare. Jam i bindur se koordinimi ynë do të fuqizojë përpjekjen e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, NATO dhe organizata të tjera ndërkombëtare”, tha ai.
Konjufca shtoi se e ardhmja e Shqipërisë dhe Kosovës do të jetë gjithmonë e lidhur dhe sa më i fortë koordinimi mes dy shteteve, aq më e sigurt do të jetë rruga drejt Bashkimit Evropian.
Ai gjithashtu përgëzoi Shqipërinë për hapat e mëdha në procesin e integrimeve evropiane dhe shprehu dëshirën që Kosova të ndjekë të njëjtin model. Takimi i dy ministrave nënvizoi jo vetëm miqësinë tradicionale mes dy vendeve, por edhe angazhimin e përbashkët për avancimin e politikave europiane dhe forcimin e shtetësisë dhe subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës, transmeton rtsh.




