Sot po zhvillohet votimi në përfaqësitë diplomatike të Republikës së Kosovës për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar se të gjitha qendrat e votimit janë hapur në orën 07:00 dhe do të mbyllen në orën 19:00, sipas kohës lokale të secilit shtet ku ndodhen përfaqësitë diplomatike.
Sipas KQZ-së, të drejtën e votës sot e kanë vetëm 19,187 qytetarë të regjistruar si votues jashtë Kosovës, të cilët gjatë periudhës së regjistrimit kanë përzgjedhur votimin fizik në përfaqësi diplomatike. Këta votues janë të shpërndarë në gjithsej 29 përfaqësi diplomatike të Kosovës.
Procesi i votimit po zhvillohet në 40 vendvotime, të cilat funksionojnë në kuadër të 16 ambasadave dhe 13 konsullatave të Republikës së Kosovës, të vendosura në 18 shtete të ndryshme të botës.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka theksuar se në listën votuese të përdorur në përfaqësitë diplomatike janë përfshirë vetëm shtetasit që kanë zgjedhur këtë mënyrë votimi gjatë regjistrimit si votues nga diaspora, duke përjashtuar ata që kanë përzgjedhur forma të tjera të votimit.
Po ashtu, KQZ-ja ka bërë të ditur se votuesit mund ta verifikojnë statusin e tyre në çdo kohë përmes platformës elektronike zyrtare të dedikuar për votuesit jashtë Kosovës.
Platforma elektronike: https://diaspora.kqz-ks.org/sq/AbroadVoter/AbroadVoterStatuses




