Sot në orën 13:00 në Shkup do të mbahet protesta e radhës në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po gjykohen në Hagë.
Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së njofton se protesta e paralajmëruar më 13 dhjetor në Shkup është protestë paqësore, qytetare dhe gjithëpërfshirëse.
Në reagimin e tyre thuhet se deklaratat e kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski në lidhje me ‘shtabin e krizës’, po krijojnë tensione të panevojshme, raporton RTKlive.
“Kategoritë e dala nga lufta e UÇK-së njoftojnë opinionin publik se protesta e paralajmëruar më 13 dhjetor në Shkup është protestë paqësore, qytetare dhe gjithëpërfshirëse, e organizuar në mbrojtje të dinjitetit tonë dhe në kundërshtim të padrejtësive në Hagë. Deklaratat e Kryeministrit Mickoski për formimin e një “shtabi krize” vetëm sa krijojnë tension të panevojshëm dhe përpiqen ta paraqesin një tubim demokratik si rrezik”, thuhet në deklaratën e OVL-UÇK-së.
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristian Mickovski deklaroi dje se Qeveria në Shkup nuk e mbështet protestën e së shtunës në sheshin `Skënderbeu`, të organizuar nga shoqatat e dala nga lufta e UÇK-së. Ai njoftoi se shteti do të angazhohet që gjithçka të kalojë në qetësi dhe të mos ketë provokime e incidente.
Tutje, Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka siguruar qytetarët dhe të gjithë pjesëmarrësit se protesta është e qetë, nuk ka prapavijë partiake dhe asnjë arsye për dramatizim.
Por kjo organizatë ka bërë të qartë se nuk mban përgjegjësi për lëvizjen e qytetarëve drejt Maqedonisë së Veriut, për shkak se nuk ka marrë garanci zyrtare nga institucionet.
Nënkryetari i OVL-UÇK-së, Gazmen Syla, tha se protesta pritet të jetë masive dhe gjithëkombëtare, por theksoi se secili pjesëmarrës udhëton me vullnet të plotë personal, pasi mungojnë garancitë për qarkullim të lirë në kufi, raporton RTKlive.
Kjo protestë mbahet pas asaj në Prishtinë, Hagë, Tiranë e Strasburg. Ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kryetarët e Kuvendit Jakup Krasniqi dhe Kadri Veseli, si dhe ish-deputeti Rexhep Selimi ndodhen në paraburgim në Hagë që nga viti 2020. Ata akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit gjatë luftës së fundit në Kosovë, akuza për të cilat të katër ish-zyrtarët e lartë janë deklaruar të pafajshëm.




