Sot, më 5 mars 2026, përfundon afati kushtetues për zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Kosovës. Deri më tani është propozuar vetëm një kandidat për këtë post – Glauk Konjufca.
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, bëri të ditur se kandidatura e Konjufcës është dorëzuar me nënshkrimet e 30 deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje dhe të grupit multietnik.
Në një konferencë për media të mbajtur dje, Haxhiu theksoi se zgjedhja e presidentit nuk mund të procedohet në Kuvend pa pasur të paktën dy kandidatë të propozuar.
“Mund të ketë kërkesa për seancë të jashtëzakonshme, por seancë për zgjedhjen e presidentit nuk mund të ketë pa së paku dy kandidatë. Zgjedhja e presidentit duhet të bëhet jo më vonë se 30 ditë para përfundimit të mandatit të presidentit aktual. Afati kushtetues është 5 marsi i vitit 2026. Ftoj të gjithë deputetët e Kuvendit të Kosovës që deri tash nuk kanë dhënë nënshkrimet të reflektojnë dhe të shqyrtojnë mundësinë për propozimin e së paku një kandidati tjetër”, deklaroi Haxhiu.
Afati për zgjedhjen e presidentit përcaktohet në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, konkretisht në Nenin 86. Në pikën 2 të këtij neni thuhet se “Zgjedhja e Presidentit të Republikës së Kosovës duhet të bëhet jo më vonë se tridhjetë (30) ditë përpara përfundimit të mandatit të presidentit aktual.”
Presidentja aktuale e vendit, Vjosa Osmani, u zgjodh në këtë post më 4 prill 2021 nga Kuvendi i Kosovës. Ajo u votua në raundin e tretë të votimit nga deputetët e Kuvendit dhe mandati i saj është pesëvjeçar.
Deri në këtë fazë të procesit, mbetet e paqartë nëse do të ketë kandidatë të tjerë të propozuar nga subjektet politike parlamentare, çka do të mundësonte zhvillimin e procedurës së zgjedhjes së presidentit në Kuvendin e Kosovës, transmeton rtk.




