Pas kualifikimit të Napolit në finale, sonte do të mësohet edhe emri i skuadrës së dytë që do të luftojë për Superkupën Italiane 2025. Në Riad të Arabisë Saudite, Interi i drejtuar nga Chivu përballet me Bolognën e Vincenzo Italianos, në një duel që premton emocione dhe tension. Napoli ka siguruar tashmë biletën për finalen pas fitores ndaj Milanit, ndërsa Interi dhe Bologna kërkojnë t’i bashkohen në aktin e fundit të turneut. Zikaltërit janë kualifikuar falë vendit të dytë në Serie A, ndërsa emilianët si fitues të Kupës së Italisë. Kjo është përballja e parë mes dy skuadrave në sezonin 2025/2026, në pritje të dy ndeshjeve të kampionatit.
Për Interin, Bologna përfaqëson një nga kundërshtarët më problematikë të viteve të fundit. Pavarësisht një fitoreje 1-0 në dimrin e vitit 2024, bilanci i përgjithshëm i ndeshjeve të fundit ka qenë zhgënjyes për zikaltërit, aq sa sfida ndaj kuqebluve është kthyer në një lloj “tabuje”.
Tifozët e Interit i kujtojnë mirë përballjet e pesë viteve të fundit, ndeshje që kanë ndikuar drejtpërdrejt në humbjen e dy titujve kampion dhe në eliminimin nga Kupa e Italisë dy sezone më parë.
Precedentët e fundit mes dy skuadrave:
Bologna–Inter 1-0
Inter–Bologna 2-2
Bologna–Inter 0-1
Inter–Bologna 1-2 pas kohës shtesë (Kupa e Italisë)
Inter–Bologna 2-2
Bologna–Inter 1-0
Inter–Bologna 6-1
Bologna–Inter 2-1
Në historinë e përgjithshme, Interi kryeson bindshëm me 92 fitore kundrejt 57 të Bolognës, ndërsa 43 ndeshje kanë përfunduar në barazim. Megjithatë, në tetë përballjet e fundit, zikaltërit kanë arritur të fitojnë vetëm dy herë, transmeton kjonë.




