POSTIMET E FUNDIT

Sonte nata finale e Festivalit të Pranverës/ 12 këngëtarë në garë për trofeun e fitores, muzikë, emocion dhe spektakël në RTSH

Pas emocioneve të natës së parë, sonte vjen momenti kulmor i këtij edicioni të Festivalit të Pranverës në RTSH. Publiku do të përjetojë një mbrëmje të mbushur me muzikë, emocion dhe spektakël, në një rikthim të madh pas më shumë se dy dekadash.

Kjo mbrëmje finale premton një spektakël të vërtetë, ku muzika, emocionet dhe surprizat do të ndërthuren për të kurorëzuar fituesin e Festivalit të Pranverës. Në skenë pritet të ngjitet Frederik Ndoci, Jonida Maliqi, Eneda Tarifa etj.

Fituesi i këtij Festivali do të vendoset përmes një formule të kombinuar: 60% nga Juria Profesionale dhe 40% nga Juria “Pranvera Digjitale”. Juria profesionale përbëhet nga Markelian Kapidani (kryetar), Eriona Rushiti, Ledina Çelo, Kejsi Tola dhe Kamela Islamaj, ndërsa juria digjitale nga Sara Berisha, Amos Zaharia, Krista Merkoçi, Arjon Muça dhe Rizarta Hoxha.

Fituesi i këtij edicioni do të sigurojë automatikisht një vend në Festivalin e Këngës në RTSH në fund të vitit.

Ndërkohë, nata e parë e këtij Festivali solli momente të veçanta me interpretimin e veprës së Vivaldit “Pranvera” nga Orkestra Simfonike e RTSH-së, rikthimin e Ledina Çelos me hitin “San Valentino”, si dhe momente të paharrueshme me Bashkim Alibalin dhe këngën simbol “Në duart e nënës”.

Një tjetër moment emocionues ishte nderimi i Luan Zhegut me çmimin e karrierës “Pranverë e Përhershme”, dorëzuar nga maestro Zhani Ciko, ndërsa Kamela Islamaj interpretoi një prej këngëve më të dashura të repertorit të tij.

Në fund të mbrëmjes së parë, juria profesionale përzgjodhi 12 këngët që do të garojnë sonte në natën finale të 7 qershorit. Mbrëmja finale transmetohet drejtpërdrejt në RTSH 1 HD, RTSH Muzikë, Radio Tirana dhe në kanalin zyrtar të RTSH-së në YouTube, transmeton rtsh.

Latest Posts

spot_imgspot_img

MOS I HUMB