Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, ka vlerësuar angazhimin e Forcave të Armatosura në përballimin e situatës së krijuar nga reshjet e dendura të shiut në disa zona të vendit.
Sipas tij, efektivët e Repartit të Gërhotit kanë qenë në terren deri në orët e vona të mbrëmjes në Gjirokastër, duke u përballur me prurjet e vrullshme të reshjeve për të garantuar sigurinë e qytetarëve.
Me një postim në rrjetin social Facebook, Vengu shkruan se mbi 100 efektivë, dhjetëra mjete dhe pompa me kapacitet të lartë janë angazhuar në disa qarqe, përfshirë Lezhën, Durrësin dhe Gjirokastrën, si dhe në çdo zonë ku ka qenë e nevojshme ndërhyrja.
“Mirëmëngjes dhe mirënjohje për djemtë e Repartit të Gërhotit, të cilët deri në orët e vona të mbrëmjes së djeshme kanë luftuar me prurjet e vrullshme të reshjeve në Gjirokastër.
Mbi 100 efektivë, dhjetëra mjete dhe pompa me kapacitet të lartë janë angazhuar në Lezhë, Durrës, Gjirokastër dhe kudo ku ka qenë e nevojshme, ndërsa përgatitemi për një tjetër ditë në vijë të parë, për të garantuar sigurinë e banorëve dhe përballimin e çdo situate”, shkruan Vengu, transmeton rtsh.




