Site icon HelveticALForum

Simpozium Shkencor në Zvicër: Xhamitë Shqiptare në Mërgatë në Shërbim të Kombit, Fesë dhe Integrimit

Nga Florim Useini, Luzern

Nën organizimin e Komunitetit Musliman Shqiptar në Zvicër (KMSHZ) – DAIGS, u zhvillua një simpozium shkencor i veçantë, kushtuar festave të nëntorit, muajit që në Zvicër njihet si periudha e aktiviteteve shqiptare për promovimin e gjuhës, traditës dhe kulturës.

Në këtë aktivitet pati nderin të marrë pjesë edhe Shkëlqesia e Tij, Ambasadori i Maqedonisë së Veriut, z. Rexhep Demiri, së bashku me personalitete të shumta diplomatike, akademike dhe fetare. Simpoziumi, me titullin “Xhamitë shqiptare në mërgatë në shërbim të kombit, fesë dhe integrimit”, trajtoi tema me peshë kulturore dhe kombëtare, duke u fokusuar në rolin e xhamive shqiptare jashtë vendit në ruajtjen e identitetit, promovimin e vlerave fetare dhe integrimin në shoqëritë pritëse.

Në Foto – Ambasadori i RMV-së në Zvicër, Shkëlqesia e Tij, Rexhep Demiri

Panelistët dhe panelistet akademikë diskutuan çështje të rëndësishme që kërkojnë trajtim të thelluar shkencor dhe që nënvizojnë potencialin e madh që shqiptarët e diasporës kanë për të kontribuar në komunitet. U theksua se ka ende hapësirë për përmirësime dhe qasje më profesionale në këtë fushë, me qëllim të rritjes së efikasitetit dhe saktësisë në veprimtaritë kulturore dhe edukative.

Ngjarja u shoqërua me takime të këndshme mes miqve, bashkatdhetarëve dhe personaliteteve nga trojet shqiptare, vendet e ndryshme evropiane dhe nga e gjithë Zvicra, duke krijuar një atmosferë të ngrohtë dhe bashkëpunuese.

Shpreha falënderimet për organizatorët për ftesën dhe mikpritjen, si dhe përgëzimet për organizimin e suksesshëm të këtij eventi, i cili nënvizon rëndësinë e ruajtjes së identitetit dhe bashkëpunimit në komunitetin shqiptar në diasporë.

Exit mobile version