Sot Kosova humbi një prej figurave të saj më të rëndësishme shkencore dhe shtetformuese. Akademik Nexhat Daci ishte jo vetëm mendje e ndritur e vendit, por edhe zë i përgjegjësisë publike, i dinjitetit qytetar dhe i përkushtimit të palëkundur ndaj shtetit të Kosovës.
Udhëheqës i Institucionit më të lartë të dijes në Kosovë, pjesë e rëndësishme e Lëvizjes Nacionale për Liri dhe Pavarësi, bashkëpunëtor i ngushtë i Presidentit Rugova, Kryetari i Parë i Kuvendit të Kosovës së lirë, njeriu që me dije, vizion dhe guxim la gjurmë në shkencën, lirinë dhe shtetndërtimin e vendit të vet.
Kam pasur nderin të punoj dhe të jem bashkëpunëtor i Akademik Dacit, do ta kujtoj si shkencëtar, dijetar, vizionar burrështetas dhe njeri të fjalës dhe angazhimit kombëtar.
Në këtë ditë të trishtë për familjen, Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, bashkëpuntorët, Kosovën dhe mbarë kombin tonë, në emër të Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës “Vatra”, shprehi ngushëllimet më të sinqerta për këtë humbje të madhe për kombin tonë.
Prehu në paqe profesor!
Kryetari i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës “Vatra”, Dr. Elmi Berisha




