Nga Dr. Sadik Elshani
Dita e Verës është një festë e lashtë pagane që në vazhdimësi është festuar nga shqiptarët. Është një festë e gëzueshme që shënon mbarimin e dimrit dhe ardhjen e ditëve të ngrohta në Shqipëri. Nuk është vetëm një ditë që shënon ndërrimin e stinëve, por është edhe në ditë që sjell shpresë, energi të reja, ngrohtësi, përtrirje, bashkon njerëzit në një atmosferë të gëzueshme e festive. E tillë ishtë dita e shtune, 14 mars, në Philadelphia ku u organizua festimi i Ditëss ë Verës. Këtë vit ndoshta festimii i kësaj ditë ishte edhe më i hareshëm, sepse po vinte pas një dimri të gjatë me ditë shumë të ftohta e plot borë. Shumë bashkatdhetarë të gëzuar ishin tubuar në mjediset e brendshme dhe të jashtme të “Kafe Dajti”. Tryezat ishin të mbushura plot me ushqime tradicionale shqiptare: byrekë, petulla, bakllava, ëmbëlsira të ndryshme.

Kuptohet, Dita e Verës nuk mund të festohet pa ballokumet e famshme të Elbasanit. Ishin të ekspozuara edhe produkte ushqimore: ullinj e vaj ulliri, reçele pemësh të ndryshme, si dhe produkte artizanale, instrumente popullore. Organizatorët kishin siguruar edhe këndin e lojërave për fëmijë. Zoti Haki Çollaku, dibrani krenar, në një kënd kishte sjellur “Odën dibrane”, ku ishin ekspozuar pamje nga krahina e Dibrës, instrumente popullore të zonës dhe produkte artizanale të asaj ane. Në raste të tilla nuk mungon as kënga e vallja shqiptare. Bashkatdhetarët e gëzuar kaluan së bashku ca çaste të hareshme, të lumtur që tani po na vijnë ditë më të ngrohta me gjithë atë forcën shpërthyese të stinës së pranverës. Festa të tilla e bashkojnë dhe e forcojnë më tepër komunitetin tonë, sjellin energji pozitive – kur festohet së bashku kënaqësia është më e madhe, çastet janë më të lumtura. Në kuadër të këtij manifestimi u organizua edhe një mbrëmje festive me muzikë e ushqime shqiptare.
Kjo veprimtari e bukur e plot hijeshi u organizua fal angazhimit të gazetares e veprimtares së palodhur të komunitetit tonë, zonjës Eva Dori në bashkëpunim me pronarët e “Kafe Dajt”, amviset duararta shqiptare, sipërmarrësit shqiptarë, numri i të cilëve cdo ditë është duke ushtuar. “Kafe Dajti” është një kafe – restorant ku shërbehen kryesisht ushqime tradicionale shqiptare dhe që nga hapja në nëntorin e vitit të 2024 është bërë një pikë mjaft e frekuentuar nga bashkatdhetarët. Është bërë edhe një qendër ku herëpashere organizohen edhe mbrëmje muzikore festa të ndryshme: festimi i Ditës së Shën Valentinit, Festës së Pavarësisë së Kosovës Ditës së Verës, etj. Shumë bashkatdhetarë e shfrytëzojnë këtë lokal për festat e tyre familjhare. Duhen përgëzuar pronarët e këtij lokali për gatishmërinë e tyre për t’i shërbyer komunitetit në forma të ndryshme./GD




