Festat e fundvitit mbledhin shqiptarët në atdhe. Pjesa më e madhe e tyre zgjedhin rrugët tokësore dhe detare për të ardhur në Shqipëri.
Për këtë arsye në pikat kufitare tokësore janë krijuar radhë të gjata të emigrantëve, duke detyruara autoritetet të marrin masa për përballimin e fluksit.
Në pikën kufitare të Kapshticës sipas të dhënave zyrtare nga datat 19 deri më 23 dhjetor, kanë hyrë 24.141 shtetas, ndërsa kanë dalë 11.844 shtetas shqiptarë dhe të huaj. Autoritetet konfirmojnë se ka nisur edhe zbatimi i procedurës së përshpejtuar për automjetet me targa greke, me qëllim lehtësimin e kalimit kufitar. Për menaxhimin e situatës, aktualisht janë hapur tre sportele në hyrje dhe dy në dalje, ndërsa funksionojnë edhe dy sportele të dedikuara për autobusët.
Edhe në doganën e Kakavijës janë shënuar radhë të gjata për shkak të numri të lartë të udhëtarëve që futen në territorin shqiptar. Vetëm në 24 orët e fundit në Kakavijë kanë hyrë në tokën shqiptare 6608 shtetas dhe kanë dalë 2754 udhëtarë. Ndërsa bilanci javor tregon se rreth 26 mijë persona e kanë shkalur pikën kufitare në hyrje dalje të vendit.
Fluks ka pasur edhe në portin e Vlorës. Që prej së premtes lundrimet janë shtuar e për pasojë edhe numri I udhëtarëve është rritur. Këtë të mërkurë kanë mbërritur në portin e Vlorës 444 pasagjerë, me afro 150 motomjete. Të shumtë në numër janë emigrantët që vijnë për të festuar fundvitin në atdhe, por nuk mungojnë as shtetasit e huaj, të cilët zgjedhin Vlorën për të kaluar ndryshe festat e fundvitit, transmeton euronewsal.




