9.3 C
Zurich
Wednesday, February 11, 2026
spot_img
spot_img

Shqiptarë – fjala hyjnore që na mban gjallë edhe nga larg

Duhet ti lexosh

Nga Alketa Burimi (Kapaj)

Fjala shqiptar është hyjnore. Toka është amanet. Largësia është dhimbje — jo çlirim. Nga larg, gjërat duken më qartë. Edhe fjala shqiptar. Ajo nuk është e rrallë në përdorim, por e rrallë në ndjesi. Jo sepse nuk e themi, por sepse jo gjithmonë e mbajmë me përgjegjësi. Dhe nuk duhet ta harrojmë: fjala shqiptar është hyjnore. Ajo nuk është thjesht një emërtim etnik, por një thirrje e lashtë që lidh gjuhën, shpirtin dhe tokën. Është fjalë që lind nga shqipja — gjuha që flet drejt, që nuk fsheh, që mban brenda amanet, qëndresë dhe kujtesë.

Ne që jetojmë në diasporë e ndiejmë këtë më fort.

- Reklama -

Sepse atdheun nuk e prekim çdo ditë, por e mbajmë në mendje, në gjuhë dhe në fëmijët tanë. Kur fjala “shqiptar” nis të shoqërohet me idenë e shpëtimit përmes largimit, atëherë nuk kemi humbur vetëm tokën apo mundësitë — kemi rrezikuar kuptimin e vetë emrit. Sepse fjala hyjnore nuk lind për t’u braktisur, por për t’u mbajtur. Shpesh, ikja është quajtur “shpëtim”.

Por largimi nuk është shpëtim — është mbijetesë. Dhe mbijetesa nuk mund të zëvendësojë kurrë përkatësinë.

Dhe pikërisht nga kjo largësi lind reflektimi i dhimbshëm: Çfarë ndodhi këta 35 vitet e fundit? Si u shpërbëm nga brenda? Si arritëm të përçahemi më shumë se kurrë më parë? Dhe pse sot e kemi kaq të vështirë ta duam njëri-tjetrin, edhe pse ndajmë të njëjtën histori? Ne harruam se ajo tokë me zemër të madhe na mban të gjithëve, pa dallim feje. Ajo tokë nuk pyet se si lutemi, por si jetojmë. Nuk ndan, por bashkon. Është toka që Zoti e mbolli për gjakun tonë shqiptar — për ta gëzuar të gjithë ne, për ta bërë të lulëzojë në çdo epokë, nën flamurin tonë kombëtar.

- Advertisement -

Një tokë që na ka duruar në gabime, në harresa dhe në largime, por që vazhdon të na presë pa kushte.

Nga ajo tokë, me rrënjë ilire dhe kujtesë shekullore, lindën burra trima të pushkës dhe të penës, që me armë dhe me fjalë mbajtën gjallë emrin “shqiptar”.

Të ruash emrin “shqiptar” sot është një përgjegjësi e madhe, sepse ai është mbrojtur dhe sakrifikuar ndër shekuj, që të mbijetojë si identitet, si histori dhe si amanet ndër breza. Shqipëria është e të gjithëve.

Edhe e atyre që jetojnë mbi të.Edhe e atyre që e shqiptojnë emrin e saj nga larg. Ajo nuk është pronë që shitet, as pasuri që negociohet. Nuk është mall tregu, as interes i ditës.

Shqipëria është amanet. Është tokë që trashëgohet, jo që tjetërsohet. Është shtëpi e përbashkët, jo plaçkë për t’u ndarë. Ne në diasporë e dimë se çfarë do të thotë të humbasësh tokën, rrënjën, gjuhën. Prandaj e dimë edhe këtë: kur një vend fillon të shitet, nuk humbet vetëm toka — humbet besimi, humbet drejtësia, humbet ndjenja e përkatësisë. Harruam se kombi nuk mbahet vetëm me flamur, himn apo kujtime historike.

Ai mbahet me sjellje, me respekt, me ndershmëri.

Me mënyrën si i flasim njëri-tjetrit, si e mbajmë gjallë gjuhën, si ua tregojmë fëmijëve historinë.

Ndoshta, pas shumë lodhjesh dhe zhgënjimesh, kemi humbur pak aftësinë për t’i ardhur pranë njëri-tjetrit.

Jo sepse nuk duam, por sepse jemi larguar nga kuptimi i thellë i asaj fjale hyjnore që na mban bashkë.

Shqiptarët janë më të fortë nga sa mendojnë vetë,

por edhe më të lodhur nga sa pranojnë. Jo sepse u mungon forca, por sepse kanë mbajtur gjatë një emër që është më i madh se vetja. Dhe kur një emër është hyjnor, ai kërkon më shumë se mbijetesë: kërkon besim, përgjegjësi dhe kujtesë.

Dhe megjithatë, ndihma mes nesh ekziston — shpesh në heshtje. Pyetja nuk është nëse dimë të ndihmojmë, por si të rikthehemi te besimi që fjala “shqiptar” kërkon prej nesh. Uroj që e ardhmja të sjellë politika që u mundësojnë shqiptarëve të rikthehen në vendin e tyre, të ruajnë gjuhën dhe traditat, të jetojnë pranë familjeve dhe të jenë zotër në tokën e tyre. Të kenë një jetë të denjë dhe të lumtur, ashtu siç e meritojnë. Sot, fjala shqiptar ndonjëherë shqiptohet me lodhje apo dyshim.

Por nga larg, ajo duhet të tingëllojë si betim. Sepse një komb nuk vdes kur varfërohet. Ai vdes kur humbet dashurinë për veten, për tjetrin dhe për tokën që e mban gjallë. Ai vdes kur shet atë që nuk i përket askujt veçse historisë, gjakut dhe amanetit shqiptar ndër breza. /GD

- Reklama -
- Reklama -spot_img

Më shumë artikuj

- Reklama -spot_img

Të ngjashme