5.9 C
Zurich
Monday, January 26, 2026
spot_img
spot_img

“SHQIPFOLËSIT”, NJË PIKËPYETJE E MADHE

Duhet ti lexosh

Nga Mehmet Elezi publicist, shkrimtar, gjuhëtar dhe diplomat

I parapëlqyer mbiemri “shqipfolës” për do politikanë. Për median gjithashtu. Sidomos në togfjalëshin hapësirë shqipfolëse.

Kë kanë parasysh ata me hapësirë shqipfolëse? Përveç Republikës së Shqipërisë, nënkuptojnë Republikën e Kosovës, treva me shumicë shqiptare në Republikën e Maqedonisë, të Serbisë (Lugina e Preshevës) dhe të Malit të Zi. Pra tërësia e hapësirave me vazhdimësi territoriale, që historikisht kanë qenë shqiptare dhe ku shqiptarët janë shumicë.

Përse duhet ky përcaktim?

Fjalori i Institutit të Shkencave, 1954, s’e ka. Për herë të parë mbiemri shqipfolës del në Fjalorin e Gjuhës së Sotme Shqipe, 1980.

Në Fjalorin e 1980-s shpjegohet: “Që ka shqipen si gjuhë amtare, që flet shqip, që përdor gjuhën shqipe. Popullsi shqipfolëse”. Shënohet fjalë librash.

Në Fjalorin e 2002-shit shpjegohet: “Që ka shqipen si gjuhë amtare, që flet shqip. Popullsi shqipfolëse”. Sërish fjalë librash.

Në Fjalorin e 2006-ës shpjegohet: “Që e flet shqipen si gjuhë amtare, që flet e përdor gjuhën shqipe. Popullsi shqipfolëse. Trevat shqipfolëse”. Nuk quhet më fjalë librash.

Shtjellimi i të tre fjalorëve, në thelb i njëllojtë, është kundërthënës.

Në njërën anë:

Shqipfolës qenka dikush që e ka ose e flet shqipen “si gjuhë amtare”. Pra s’e ka gjuhë amtare, por “si gjuhë amtare”. I tillë mund të jetë edhe një kinez, një serb a një rus që ka mësuar shqip me themel. Sipas përcaktimit të mësipërm del se një shqiptar i Tiranës, i Prishtinës, i Tetovës a i Ulqinit, nuk mund të quhet shqipfolës. Sepse një shqiptar e ka shqipen gjuhë amtare dhe jo “si gjuhë amtare”.

Në anën tjetër:

Shprehjet që ilustrojnë shpjegimin janë “popullsi shqipfolëse”, “treva shqipfolëse”. Për cilat popullsi dhe treva “shqipfolëse” mund të jetë fjala? Duke qenë se popullsi dhe treva ku flitet shqip, përveç Shqipërisë, janë vetëm Kosova dhe hapësirat e tjera shqiptare në ish-Jugosllavi, atëherë nënkuptohen këto. Por në këto hapësira shqipja është gjuhë amtare, nuk është “si gjuhë amtare”.

Banorët në katundet dhe qytezat arbëreshëve të Italisë, në Zarë të Dalmacisë dhe në disa fshatra të Ukrainës, vështirë mund të quhen shqipfolës të mirëfilltë. Shqipja e tyre është e vjetër dhe bazike. Është e përzier me fjalë e trajta të gjuhës së vendit përkatës, të cilën edhe qytetarët e atjeshëm me prejardhje shqiptare e kanë gjuhë të parë.

Nga shpjegimet e fjalorëve të Akademisë duket se krijimi i mbiemrit shqipfolës, si fjalë librash, me gjasë ka pasur prapavijë politike.

Ka qenë politikë e udhëheqjes komuniste të Tiranës që, “për konjukturë”, siç përsëritej vazhdimisht, Kosova dhe viset e tjera shqiptare në ish-Jugosllavi të mos ziheshin në gojë si të tilla. Ky mbiemër u sajua në shërbim të kësaj politike. Flitet për treva dhe popullsi që janë “shqipfolëse” (e shikoni ju në Kosovë, për ju e kemi fjalën, ju kemi gjithnjë në mendje). Njëkohësisht thuhet se ato e kanë shqipen si gjuhë amtare (ju në Beograd rrini të qetë, nuk po themi e kanë shqipen gjuhë amtare, po themi si gjuhë amtare).

Duket se togfjalëshi hapësirë shqipfolëse edhe sot i qet “faqebardhë” ata që e përdorin. Nëpërmjet tij dëshmohen “atdhetarë”, pasi nuk e harrojnë gjysmën e kombit. Dëshmohen edhe “të moderuar”, pasi nuk flasin për përkatësi shqiptare, flasin thjesht për banorë “shqipfolës”.

Edhe në njoftimet e medieve të huaja herë pas herë ndeshet mbiemri shqipfolës (albanophone). Përmendin tiparin e qartë, faktin që flasin shqip, sepse nuk duan të hynë në problemet e përkatësisë kombëtare/ etnike (pa folë që në Perëndim ka koncept tjetër për kombin). Por ato në asnjë rast nuk thonë se popullsitë “albanofone” e kanë gjuhën shqipe “si gjuhë amtare”.

Duke i quajtur Kosovën dhe hapësirat shqiptare në Ballkan thjesht shqipfolëse, që e flasin shqipen “si gjuhë amtare”, vihet në pikëpyetje përkatësia etnike e shqiptarëve aty. Autoktonia në trojet e veta.

Kjo u vjen për shtat akademikëve e politikanëve serbë, që thonë se shqiptarët në këto hapësira qenkeshin “sllavë të shqiptarizuar”; qenkeshin “ardhacakë”, Kosova “qenkesh mbushur me myslimanë shqiptarë gjatë perandorisë osmane”.
Në Kosovë, në Maqedoni, në Luginë të Preshevës, në Mal të Zi, njësoj si në Shqipëri, s’ka “shqipfolës”. Aty ka shqiptarë. Gjuhën shqipe e kanë gjuhë amtare, pa diversionin e lidhëses “si” ndërmjet.

05 mars 2018
(nga libri “Gjuha e medias dhe ‘lemëza’”)

- Reklama -spot_img

Më shumë artikuj

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

- Reklama -spot_img

Të ngjashme