Nëse keni qenë në ndonjë nga këto 10 vende, jeni më aventurierë se 95% e njerëzve, shkruan Jordan Cooper në revistën digjitale “VegOut”.
Shumica e turistëve vizitojnë çdo vit të njëjtat destinacione të njohura turistike si Parisin, Romën, Londrën, ndoshta edhe Tajlandën nëse janë të guximshëm!
Por, ekziston një kategori tjetër turistësh. Ata që kërkojnë të anashkalojnë pikat e nxehta të Instagram-it dhe të udhëtojnë drejt vendeve që janë ende të pazbuluara, vende ku përvoja autentike del në plan të parë!
Bëhet fjalë për destinacione që kërkojnë më shumë sesa vetëm një biletë avioni apo një rezervim hoteli.
Këto vende kërkojnë fleksibilitet, kuriozitet dhe gatishmëri për të zbuluar edhe atraksionet më të thella.
Nëse keni qenë në ndonjë nga këto 10 vende, pushimet tuaja janë në një nivel tjetër nga shumica e turistëve.
Shqipëria
Shqipëria, destinacioni sekret më i mirëmbajtur i Evropës, ndodhet pranë vendeve të njohura turistike si Greqia dhe Italia.
Riviera Shqiptare karakterizohet nga ujëra të kristalta bruz dhe qytete bregdetare magjepsëse pa turma vizitorësh, krahasuar me Bregun e Amalfit, në Itali.
Në Alpet Shqiptare, ofrohen ecje malore që rivalizojnë destinacionet e famshme në Evropë. Gjithashtu, ju mund provoni dhe shijoni ushqimin tradicional vendas.
Për dekada me radhë, Shqipëria ka qënë e izoluar nën sundimin komunist, duke humbur kështu boom-in e turizmit që transformoi pjesën më të madhe të Evropës.
Ky izolim rezultoi në ruajtjen autentike dhe të rafinuar të destinacioneve më të njohura në vend.
Shqipëria është e përballueshme, njerëzit janë mikpritës dhe mund të eksploroni kështjellat e lashta pa hasur grupe të mëdha turistësh.
Nëse keni qenë në Shqipëri, atëherë i përkisni një grupi të vogël turistësh që i tejkaluan stereotipet dhe zbuluan një destinacion të vërtetë pushimesh!
Revista digjitale “VegOut” ka renditur 10 vendet më të mira dhe autentikisht më të bukura për t’u vizituar në vitin 2026: Shqipëria, Mongolia, Kirgistani, Madagaskari, Butani, Guinea e Re Papua, Groenlanda, Etiopia dhe Nikaragua, transmeton atsh/rtk




