Mësimet Evropiane të mbrojtjes dhe Sigurisë nga Polonia, Gjermania, Finlanda dhe Baltiku.
Prof.dr. Muhamet Racaj, Gjeneral-Major
Universiteti “Nënë Tereza”, Shkup
Ky studim analizon ndikimin e modeleve kombëtare të mbrojtjes ushtarake dhe civile të Polonisë, Gjermanisë, Finlandës dhe vendeve baltike në procesin e ndërtimit të një mbrojtjeje të përbashkët evropiane, duke i lidhur ato me realitetin dhe sfidat e Ballkanit Perëndimor dhe në veçanti me Kosovën¹. Një pjesë e rëndësishme e hulumtimit është përqendrimi mbi dimensionet psikologjike të vetëdijes së përgjithshme mbrojtëse në popullsi, si faktor kyç për qëndrueshmërinë socio-strategjike të shteteve në rajon². Metodologjia përfshin analizën krahasuese të modeleve kombëtare, studime rasti, si dhe të dhëna nga intervista dhe sondazhe në Kosovë⁹. Rezultatet tregojnë se modelet e Ballkanit Perëndimor mund të përfitojnë nga adoptimi i koncepteve të trajnimit gjithëpërfshirës dhe angazhimit qytetar të vendeve model³, ndërsa stimulimi i vetëdijes mbrojtëse kontribuon në rritjen e reziliencës kombëtare⁴. Ky studim ka ndikim të rëndësishëm për politikëbërësit dhe institucionet e sigurisë për hartimin e strategjive më efektive të mbrojtjes në rajon⁵.
Ballkani Perëndimor është rajoni me sfida të shumta të sigurisë shtetërore dhe rajonale, nga pasojat politike dhe ushtarake të konfliktit të kaluar, deri te kërcënimet hibride dhe presionet gjeopolitike aktuale¹. Ndërtimi i një sistemi efektiv mbrojtjeje në këtë rajon kërkon përvetësimin e praktikave të suksesshme ndërkombëtare dhe zhvillimin e mekanizmave të vetëqeverisjes së sigurisë⁶. Kosova, si një shtet ende në proces të konsolidimit institucional, përballet me sfida të veçanta, duke përfshirë nevojën për forcimin e vetëdijes qytetare mbi rolin e mbrojtjes, si dhe integrimin funksional në mekanizmat evropiane dhe euroatlantike të sigurisë².
Nxitja, qëllimi dhe objektivat e studimit
Ky studim synon të bëjë një analizë ndërrajonale të ndikimit të modeleve të Polonisë, Gjermanisë, Finlandës dhe vendeve baltike në ndërtimin e rrjeteve të sigurisë së përbashkët evropiane, duke nxjerrë mësime të vlefshme për Ballkanin Perëndimor, me fokus të veçantë në Kosovë⁵. Studimi gjithashtu shqyrton dimensionet psikologjike të vetëdijes mbrojtëse si faktor kyç rezilience shtetërore dhe sociale në rajon¹⁰.
Objektivat kryesore janë:
1.Të identifikojë elementët strategjikë dhe organizativë të modeleve ushtarake dhe civilo-ushtarake të vendeve model².
2.Të analizojë zhvillimet e kapaciteteve mbrojtëse në Ballkanin Perëndimor me fokus në Kosovë⁹.
3.Të eksplorojë dimensionet psikologjike të vetëdijes mbrojtëse në popullsinë kosovare dhe rolin e saj në mbrojtjen kolektive¹².
4. Të japë rekomandime për politikat dhe strategjitë rajonale të mbrojtjes dhe sigurisë⁵.
Pjesa Kryesore:
1.Modelet Kombëtare dhe Mësimet për Ballkanin Perëndimor
1.1.Modeli polak i vetëdijes gjithëpërfshirëse dhe rezervave civile dhe ushtarake
Polonia, pas agresionit rus ndaj Ukrainës, ka krijuar një model të ri mbrojtjeje ku trajtimi i gjithë popullsisë si një forcë rezerviste është themelor³. Programi “Gjithmonë i Përgatitur” synon trajnimin e qindra mijë qytetarëve për situata emergjente dhe mbrojtje aktive, duke përfshirë edukim mbi sigurinë kibernetike, mjekësinë emergjente dhe menaxhimin e fatkeqësive natyrore dhe të përditshme³. Ky model thekson rëndësinë e ndërgjegjësimit qytetar dhe angazhimit gjithëpopullor në kuadrin e mbrojtjes shtetërore, një praktikë që Ballkani Perëndimor, e sidomos Kosova me mungesë të theksuar të kësaj kulture, mund ta adoptojë me përfitime të mëdha⁴.
Propozim konkret:
Ballkani dhe Kosova duhet të ndërmarrin programe të mëdha trajnimi gjithëpopullor, në bashkëpunim me sektorin edukativ, që përfshijnë njohuri bazë në mbrojtje civile, siguri kibernetike dhe vetëmbrojtje, duke i ngjizur këto elemente në sistemin arsimor dhe platformat komunitare³,⁵.
1.2. Finlanda dhe modeli i mbrojtjes gjithëkombëtare
Finlanda prej dekadash ka zënë një vend parësor në rritjen e vetëdijes mbrojtëse qytetare, duke integruar trajnimet civile në sistemin arsimor kombëtar dhe duke krijuar një ushtri të strukturës së gjerë me një rezistencë të lartë popullore ndaj kërcënimeve¹⁰. Në vite të fundit, ky model është riplanifikuar për të përballuar kërcënime hibride dhe ciber-sigurie⁶. Për Kosovën, përvetësimi i modeleve finlandeze mund të stimulojë konsolidimin e vetëdijes qytetare nëpërmjet programeve edukative të ndërthurura me trajnime praktike, si dhe integrimin më të mirë të sigurisë civile në planifikimin kombëtar të emergjencave⁴.
Propozim konkret:
Institucionet kosovare të sigurisë dhe arsimit duhet të hartojnë partneritete me institucione finlandeze për trajnim dhe zhvillim programesh shkollore që integrojnë trajnime civile për situata emergjente, duke krijuar gjithashtu një sistem vullnetarësh të trajnuar për reagim emergjent në komunitete¹⁰.
1.3. Vendimet baltike dhe bashkëpunimi i sigurisë rajonale
Shtetet Baltike kanë ndërtuar një model ku bashkëpunimi rajonal dhe mbështetja nga NATO janë thelbësore, por në paralel kanë zhvilluar edhe kapacitete të forta vendore, veçanërisht në fushën e mbrojtjes kibernetike dhe mobilizimit civil⁷. Ky model ofron një rol udhëheqës në krijimin e një vetëdije mbrojtëse dixhitale dhe një sinergji ndërkombëtare shumë efikase. Kosova mund të përfitojë nga bashkëpunimi rajonal në ndërtimin e kapaciteteve kibernetike dhe nga krijimi i platformave ndërkombëtare për sigurinë, ndërsa fuqizimi i komuniteteve lokale mbetet prioritet⁸.
Propozim konkret:
Krijimi i një platforme rajonale të sigurisë kibernetike, në bashkëpunim me vendet baltike dhe NATO-n, ku vende të Ballkanit Përëndimor përfshihen në trajnime dhe shkëmbime eksperiencash, forcojnë kapacitetet teknike dhe ndihmojnë në mbrojtjen ndaj kërcënimeve hibride dixhitale⁷.
1.4. Rasti i Gjermanisë: Rikthimi i shërbimit të detyrueshëm ushtarak dhe ndërtimi i rezervës
Gjermania kishte pezulluar shërbimin e detyrueshëm ushtarak në vitin 2011, duke shfaqur një model pacifist që zgjati mbi një dekadë¹³. Megjithatë, pas krizës së Ukrainës, mungesa e personelit dhe rritja e nevojave për kapacitete rezerviste detyroi qeverinë federale të marrë vendime historike¹⁴. Në tetor të vitit 2025, koalicioni qeverisës vendosi rikthimin e shërbimit obligativ për meshkujt 18-vjeçarë, duke përdorur një sistem “llotarie” nëse numri i vullnetarëve nuk është i mjaftueshëm¹⁵. Për vajzat, pjesëmarrja mbetet vullnetare. Qëllimi është që Bundeswehri të rritet në 260 mijë efektivë deri në vitin 2031¹⁶. Ministri i Mbrojtjes, Boris Pistorius, ka përcaktuar synimin që Gjermania të jetë “kriegstüchtig” – e gatshme për luftë – deri në vitin 2029, duke reflektuar nevojën për përputhje me strategjinë e NATO-s¹⁷. Megjithëse Berlini ka miratuar një plan investimesh prej 1 trilion dollarësh, sfidat më të mëdha mbeten entuziazmi i ulët i brezit të ri për shërbimin ushtarak dhe kundërshtimet radikale nga lëvizjet pacifiste dhe pjesë të opinionit publik¹⁸.
Ky rikthim shihet nga qeveria si i domosdoshëm për krijimin e një rezervë bazë që do të garantonte sovranitetin dhe integritetin e vendit në një ambient sigurie të përshtatur me sfidat e sotme¹⁹.Në këtë kontekst, Gjermania po ndërmerr hapa historikë për modernizimin e Bundeswehr-it. Në vitin 2025, Berlini miratoi programin FASER (Future Soldier Equipment and Readiness), që ka për synim të zgjasë deri në vitin 2034 dhe të rrisë efektivët e ushtrisë në rreth 460.000 deri në mesin e dekadës së ardhshme – shumë më tepër se 280.000 sa janë sot²⁰.
Përmes një investimi pa precedent prej 26,5 miliardë euro, Gjermania do të modernizojë pajisjet individuale të ushtarëve, duke përfshirë uniformat, sistemet balistike, komunikimin dhe armatimin e lehtë, si dhe do të blejë deri në 5.000 automjete të reja Boxer të prodhimit franko-gjerman, të cilat do të shërbejnë për fleksibilitet taktik në operacione moderne²⁰. 19 miliardë euro i dedikohen direkt FASER-it, ndërsa 7,5 miliardë janë të dedikuara pikërisht për flotën e re të automjeteve të blinduara me rrota²⁰. Ky program është përgjigje ndaj kritikave të gjata lidhur me pamjaftueshmërinë logjistike dhe teknike të forcave të armatosura. Nga viti 2026, buxheti i mbrojtjes arrin në mbi 117 miliardë euro dhe 2.8% të PBB-së – shumë mbi objektivin e NATO-s – në një strategji kombëtare që mbështetet nga masa të jashtëzakonshme financimi të përkohshëm dhe bashkëpunim industrial me prodhuesit kryesorë europianë²⁰. Paketa stimuluese për sigurinë kombëtare dhe industriale pritet të rrisë mijëra vende pune dhe të rivendosë bazën teknologjike të Gjermanisë si qendër kryesore të mbrojtjes në Evropë²⁰.
Propozim konkret:
Ballkani duhet të diskutojë mundësinë e zhvillimit të nismave për shërbim ushtarak vullnetar apo programet rezerviste, të mbështetura me trajnime dhe stimuj ligjorë që nxjerrin në pah rëndësinë e mbrojtjes institucionale dhe qytetare, duke marrë shembull Gjermaninë për ndërtimin e një rezervë operative dhe të përgatitur¹⁹.
2.Dimensionet psikologjike të vetëdijes mbrojtëse dhe reziliencës kombëtare
Vetëdija mbrojtëse nuk është vetëm çështje strukturore apo organizative, por parakusht për një reziliencë të qëndrueshme është ndërtimi i besimit, angazhimit qytetar dhe kulturës së përgjegjësisë kolektive¹¹. Në Kosovë, faktorë si pasiguritë ekonomike, largimi i të rinjve dhe historia e dhunshme ndikojnë në perceptimin mbi rolin e mbrojtjes. Krijimi i programeve të edukimit psikologjik dhe promovimi i vetëdijës mbrojtëse mund të rrisë ndjeshëm përballueshmërinë sociale në raste krize¹².
Propozim konkret:
Institucionet duhet të ndërmarrin fushata ndërgjegjësimi të vazhdueshme, që nxisin angazhimin qytetar, ndërtimin e kulturës së përgjegjësisë nëpërmjet programeve edukative, aplikimeve të mediave sociale dhe strategjive të psikologjisë sociale¹¹.
3.Analiza ndërkombëtare dhe sfidat specifike të Ballkanit Perëndimor dhe Kosovës
Ballkani Perëndimor ka nisur hapa për forcimin e kapaciteteve mbrojtëse, por sfidat politike, infrastrukturore dhe kulturore mbeten pengesa. Kosova, për shkak të statusit dhe traditës së saj të re shtetërore, është në një fazë ku modeli i vetëdijes së përgjithshme mbrojtëse është në zhvillim⁸. Kjo kërkon ndërhyrje të kombinuara: përforcim institucional, edukim qytetar dhe bashkëpunim rajonal⁹.
Propozim konkret:
Politikëbërësit duhet të krijojnë një platformë koordinimi rajonal, të mbështetur nga BE dhe NATO, për të bashkërenditur nismat e sigurisë, modernizimin strategjik dhe shkëmbimin e të dhënave të sigurisë me mekanizmat ndërkombëtarë⁸.
Përfundim dhe Rekomandime:
Ky studim nxjerr në pah rëndësinë e adaptimit të modeleve të suksesshme të Polonisë, Finlandës, vendeve baltike dhe rikthimit gjerman të shërbimit të detyrueshëm ushtarak në Ballkanin Perëndimor, me një fokus të veçantë në Kosovë, për ndërtimin e një sistemi mbrojtjeje kolektive evropiane. Vetëdija mbrojtëse e popullsisë është një dimension thelbësor i këtij procesi dhe përforcimi i saj kërkon angazhim të përbashkët ndërmjet institucioneve, edukimit dhe bashkëpunimit rajonal¹¹.
Rekomandime kryesore janë:
● Inkorporimi i programeve gjithëpërfshirëse të trajnimit civil-ushtarak në sistemet arsimore dhe komunitare të Ballkanit Perëndimor³.
● Nxitja e bashkëpunimit kibernetik dhe emergjent rajonal duke pasur si shembuj modelet baltike⁷.
● Zhvillimi i politikave afirmative në Kosovë për ngritjen e vetëdijes mbrojtëse dhe gatishmërisë sociale¹².
● Përforcimi i partneriteteve ndërkombëtare për ndërtimin e qëndrueshmërisë së sigurisë rajonale në kuadër të Bashkimit Evropian dhe NATO-s⁵.
Literatura e Shfrytëzuar:
1.European Union External Action Service. “EU Strategic Compass for Security and Defence.” Brussels, 2022.
2.Kosiniak-Kamysz, Władysław. “Civil Preparedness in Contemporary Defence Policy.” National Security Review, Warsaw, 2023.
3. Polish Ministry of Defence. “Always Ready Program: Policy Brief.” Warsaw, 2023.
4.Finnish Defence Forces. “Comprehensive Security Model: Lessons Learned.” Helsinki, 2022.
5.European Council on Foreign Relations (ECFR). “Europe’s Defence Awakening.” Policy Brief, 2024.
6.NATO Defence Expenditure Statistics. Annual Report, 2023.
7. Wesslau, Fredrik, and Olevs Nikers. “The Emerging Security Architecture of Central Europe.” EUISS, 2024.
8. European Parliament Research Service. “Prospects for a European Defence Union.” Brussels, 2024.
9. Studime të brendshme dhe intervista nga institucionet kosovare të mbrojtjes dhe sigurisë, 2024.
10.Tomczyk, Cezary. “Psychological Dimensions of Civil Defence.” Polish Defence Journal, 2023.
11.Borrell, Josep. “A Geopolitical Europe: Towards Strategic Autonomy.” EU External Policy, 2023.
12.Analiza e perceptimeve sociale të sigurisë në Kosovë, Instituti për Siguri Rajonale, 2025.
13.DW.com, “Gjermania shpall planet e reja për shërbimin ushtarak,” 2025.
14.Ministria e Mbrojtjes Gjermane, Programi FASER, 2025.
15. tetovasot.com, “Gjermania miraton planin e ri të shërbimit ushtarak për të rinjtë,” 2025.
16.frontonline.net, “Bundeswehri synon 260 mijë trupa,” 2025.
17.tv21.tv, “Arrihet marrëveshje politike për rikthimin e shërbimit të detyrueshëm ushtarak në Gjermani,” 2025.
18.top-channel.tv, “Gjermania drejt rikthimit të shërbimit ushtarak, CDU/CSU mbështet nismën,” 2025.
19.gazetadielli.com, “Provokimet ruse dhe perspektiva e zgjerimit të konfliktit,” 2025.
20.portalb.mk, “Investime të mëdha për modernizimin e Bundeswehr,” 2025.
21.Wesslau, Fredrik & Olevs Nikers, “Security Architecture in Central Europe,” EUISS, 2024. /Gdielli




