0.8 C
Zurich
Friday, January 16, 2026
spot_img
spot_img

Shqipëria forcon kontrollin mbi armët

Duhet ti lexosh

Qeveria shqiptare pritet të dorëzojë në Kuvend projektligjin e ri “Për importin, eksportin dhe transitin e armëve të zjarrit”, një nismë që synon të godasë trafikun e paligjshëm dhe të vendosë nën “lupë” çdo lëvizje të armatimit, komponentëve dhe municioneve brenda dhe jashtë kufijve.

Guri i themelit të këtij ligji është Autoriteti i Kontrollit Shtetëror të Eksporteve (AKSHE). Ky institucion do të jetë përgjegjës për lëshimin e autorizimeve për import dhe eksport; menaxhimin e Sistemit Elektronik të Licencimit (një platformë e enkriptuar ku do të kryhen të gjitha aplikimet); kryerjen e kontrolleve “pas dërgesës” për të vërtetuar se armët kanë mbërritur te përdoruesi i fundit i deklaruar.

Çfarë konsiderohet “mall i listuar”?

Ligji nuk mbulon vetëm armët e përfunduara, por një gamë të gjerë artikujsh si armë zjarri të plota ose gjysmë të përfunduara, komponentë kryesorë si tyta, mbyllësa, etj., municione dhe zbutës zhurme (silenciatorë), armë për alarm dhe sinjalizim të cilat duhet të jenë të pakonvertueshme në armë zjarri, si dhe armë të çaktivizuara, të cilat duhet të kenë certifikatë specifike.

Rregulla të rrepta për importin dhe eksportin

Sipas projektligjit, asnjë armë nuk mund të hyjë apo të dalë nga Shqipëria nëse nuk ka markimin sipas Protokollit të OKB-së.

“AKSHE mund të refuzojë autorizimin nëse kërkuesi është i dënuar me më shumë se 4 vite burg, ose nëse ekzistojnë indicie se personi përbën kërcënim për sigurinë kombëtare. Çdo autorizim duhet të përmbajë të dhëna të hollësishme për mjetin e transportit, rrugën e transitit dhe përfituesin fundor.”, thuhet në projektligj.

Lehtësira për gjuetarët dhe sportistët

Projektligji parashikon procedura të thjeshtuara për kategoritë specifike.

“Gjuetarët dhe qitësit sportive  mund të lëvizin me armët e tyre për aktivitete të ligjshme si gjueti, gara, por me sasi të kufizuara municioni, maksimumi 800 fishekë për gjuetarët dhe 1200 për sportistët.”, thuhet në projektligjin e qeverisë.

Lejohet importi/eksporti i përkohshëm për panaire pa pasur nevojë për licencë të plotë tregtare, me kusht që mallrat të rieksportohen.

Gjoba deri në 5 milionë lekë

Shkeljet administrative që nuk përbëjnë vepër penale do të ndëshkohen nga 500,000 deri në 5,000,000 lekë për transferime pa autorizim ose me dokumente false. Do të ketë edhe masa shtesë si “ndalim i aktivitetit tregtar deri në 3 vjet për shkelësit përsëritës”.

Policia e Shtetit ngarkohet me ekzekutimin e vendimeve për konfiskimin, shkatërrimin ose shitjen e mallrave objekt shkeljeje, transmeton rtsh.

- Reklama -spot_img

Më shumë artikuj

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

- Reklama -spot_img

Të ngjashme