Kuvendi ka votuar me 79 vota pro projektrezolutën e propozuar nga grupi parlamentar i Partisë Socialiste për shpalljen e Iranit shtet sponsor të terrorizmit, ndërkohë që PD-ja, ashtu sikurse paralajmëroi, ka bojkotuar seancën.
Në fjalën e tij gjatë prezantimit të projektrezolutës, kreu i grupit parlamentar socialist Taulant Balla deklaroi se në thelb të kësaj rezolute është shpallja e Gardës Revolucionare të Iranit dhe organizatës Hezbollah në Liban, si organizata terroriste, si dhe të forcojë bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtar në luftën kundër terrorizmit të sponsorizuar nga shtetet dhe rrjetet e tyre.
“Rezoluta dënon çdo formë të mbështetjes shtetërore për terrorizmin, përdorimin e grupeve “proksi” për destabilizim dhe përdorimin e mjeteve hibride, përfshirë sulmet kibernetike kundër institucioneve të shteteve sovrane.
Gjithashtu, rezoluta i bën thirrje qeverisë shqiptare që, në përputhje me legjislacionin dhe në koordinim me aleatët, të shpallë Gardën Revolucionare të Iranit dhe organizatën Hezbollah në Liban si organizata terroriste, si dhe të forcojë bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtarë në luftën kundër terrorizmit të sponsorizuar nga shtetet dhe rrjetet e tyre”, deklaroi Balla.
Ky i fundit theksoi se terrorizmi është një strategji e qëllimshme frikësimi, destabilizimi dhe minimi i rendit demokratik. Në këtë kudër, ai risolli në vëmendje sulmet kibernetike që kanë goditur disa nga institucionet në vendin tonë, ku rasti më i fundit u regjistrua para pak ditësh, ku u hakërrua Kuvendi i Shqipërisë.
Balla e konsideroi këtë sulm kibernetik, si akt të mirëfilltë armiqësor, me synim destabilizimin e institucioneve demorkatike dhe funksionimin normal të shtetit. Ai nënvizoi se vigjilenca duhet të vijojë të mbetet e lartë.
“Për Shqipërinë, kjo nuk është një çështje e largët gjeopolitike. Vendi ynë ka qenë vetë objekt i sulmeve të drejtpërdrejta në hapësirën kibernetike. Sulmi i rëndë i vitit 2022 ndaj institucioneve shqiptare ishte një nga episodet më serioze të agresionit kibernetik ndaj një vendi sovran, duke synuar të dëmtonte funksionimin e institucioneve dhe të cenonte besimin e qytetarëve te shteti. Përpjekje të tjera janë parandaluar ose zbuluar në kohë, por vigjilenca duhet të mbetet e lartë. Pak ditë më parë, Kuvendi ishte sërish objekt i një sulmi kibernetik.
Këto nuk janë incidente të zakonshme teknologjike, por akte të mirëfillta armiqësore që synojnë destabilizimin e institucioneve demokratike dhe funksionimin normal të shtetit”, theksoi ai.
Partia Demokratike bojkotoi seancën e sotme plenare, pasi sikurse deklaroi kreu i grupit parlamentar demokrat Gazment Bardhi, seanca u thirr jashtë ditës së zakonshme të mbledhjeve parlamentare dhe pa një rend dite të shpallur zyrtarisht.
Po ashtu, Bardhi njoftoi bojkotin me argumentin se Parlamenti është kthyer në një “fasadë për propagandën e qeverisë”.
Projekt-rezoluta:
Rezolutë për shpalljen e Republikës Islamike të Iranit si Shtet Sponsor i Terrorizmit dhe Shtet që përdor mjete terroriste.
Kuvendi i Shqipërisë, Duke qenë se Republika e Shqipërisë është fuqimisht e përkushtuar ndaj parimeve të Kartës së Kombeve të Bashkuara, të drejtës ndërkombëtare dhe mbrojtjes së paqes dhe sigurisë ndërkombëtare;
Duke qenë se terrorizmi në të gjitha format dhe shfaqjet e tij përbën një nga kërcënimet më serioze ndaj paqes ndërkombëtare, sigurisë dhe shoqërive demokratike;
Duke qenë se raporte të besueshme dhe vlerësime ndërkombëtare kanë dokumentuar në mënyrë të përsëritur përfshirjen e autoriteteve të Republikës Islamike të Iranit në financimin, trajnimin, armatosjen dhe drejtimin e grupeve dhe organizatave të armatosura jo-shtetërore të shpallura si entitete terroriste në disa rajone;
Duke qenë se Republika Islamike e Iranit, përmes institucioneve të saj shtetërore, përfshirë Gardën Revolucionare Islamike (IRGC) dhe strukturat e lidhura me të, ka mbështetur dhe koordinuar aktivitete që destabilizojnë vende në Lindjen e Mesme dhe më gjerë;
Duke qenë se Republika e Shqipërisë ka qenë vetë objekt i veprimeve armiqësore në hapësirën kibernetike, përfshirë sulmin e rëndë kibernetik ndaj institucioneve shtetërore shqiptare në vitin 2022, i atribuar strukturave të lidhura me Republikën Islamike të Iranit, si dhe përpjekjet e ditëve të fundit për sulme kibernetike ndaj sistemeve të Kuvendit të Shqipërisë;
Duke qenë se aktet e dhunës dhe të agresionit, përfshirë sulmet kibernetike kundër institucioneve shtetërore, infrastrukturës kritike dhe shteteve sovrane përbëjnë shkelje të së drejtës ndërkombëtare dhe mund të përbëjnë forma të terrorizmit;
Duke qenë se përdorimi sistematik i frikësimit, i grupeve të armatosura proxy, si dhe i mjeteve hibride për të përhapur frikë dhe destabilizim është i papajtueshëm me normat e marrëdhënieve paqësore ndërkombëtare;
Duke qenë se Republika e Shqipërisë, si anëtare e NATO-s dhe vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, ka në themel të politikës së saj të jashtme dhe të sigurisë parimet e solidaritetit demokratik, shtetit të së drejtës dhe mbrojtjes së paqes dhe stabilitetit ndërkombëtar;
Duke qenë se populli dhe institucionet shqiptare mbeten të përkushtuara në luftën kundër terrorizmit në të gjitha format e tij dhe në mbajtjen përgjegjës të atyre që sponsorizojnë ose kryejnë akte terrori;
Kuvendi i Shqipërisë:
1. Dënon me termat më të ashpër veprimet e Qeverisë së Republikës Islamike të Iranit që mbështesin, mundësojnë ose kryejnë akte terrorizmi, operacione hibride dhe aktivitete destabilizuese në rajone të ndryshme të botës si dhe shpreh solidaritetin e plotë me vendet mike të Gjirit Persik dhe me Turqinë, të cilat janë shënjestuar nga aktiviteti terrorist i sponsorizuar nga Qeveria e Republikës Islamike të Iranit.
2. Dënon gjithashtu sulmet kibernetike të kryera kundër institucioneve të Republikës së Shqipërisë, përfshirë sulmin e vitit 2022 ndaj infrastrukturës shtetërore dhe përpjekjet e fundit për ndërhyrje në sistemet e Kuvendit të Shqipërisë.
3. Shpall Republikën Islamike të Iranit si Shtet Sponsor të Terrorizmit dhe si shtet që përdor mjete terroriste në ndjekje të objektivave të tij të politikës së jashtme.
4. Dënon aktivitetet e Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) dhe entiteteve të lidhura me të për rolin e tyre në mbështetjen e organizatave terroriste, forcave të armatosura përfaqësuese dhe operacioneve destabilizuese.
5. I bën thirrje Qeverisë së Republikës së Shqipërisë që :
– të forcojë masat kombëtare dhe ndërkombëtare për të luftuar terrorizmin e sponsorizuar nga shtetet dhe kërcënimet kibernetike;
– të bashkëpunojë ngushtë me vendet aleate dhe partnere në parandalimin dhe luftimin e financimit të terrorizmit dhe aktiviteteve të lidhura me strukturat shtetërore iraniane;
– të mbështesë nismat në organizatat ndërkombëtare që synojnë përgjegjshmërinë për aktet e terrorizmit, sulmet kibernetike dhe shkeljet e së drejtës ndërkombëtare.
– të shpallë menjëherë Gardën Revolucionare Islamike (IRGC), si organizatë terroriste,
– të shpallë gjithashtu Hezbollah si një organizatë terroriste proxy të Republikës Islamike të Iranit, duke iu bashkuar Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Gjermanisë, Hollandës dhe një numri shtetesh anëtare të BE-së si dhe vende të tjera, të cilat e kanë ndërmarrë më parë këtë përcaktim.
6. U bën thirrje vendeve demokratike, organizatave ndërkombëtare dhe partnerëve të Shqipërisë që të shqyrtojnë masa të koordinuara kundër terrorizmit të sponsorizuar nga shtetet dhe të forcojnë bashkëpunimin ndërkombëtar në luftën kundër këtyre kërcënimeve.
7. Rikonfirmon përkushtimin e palëkundur të Shqipërisë ndaj paqes ndërkombëtare, vlerave demokratike dhe mbrojtjes së civilëve nga aktet e terrorit.
8. Udhëzon që kjo Rezolutë t’i përcillet Qeverisë së Republikës së Shqipërisë, qeverive aleate, Organizata e Kombeve të Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe partnerëve të tjerë ndërkombëtarë përkatës, transmeton rtsh.




