POSTIMET E FUNDIT

Shqipëria drejt BE-së, Hoxha: Komisioni Europian, avokati më i mirë i vendin

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, deklaroi se Komisioni Europian është avokati më i mirë që Shqipëria ka pasur në historinë e saj dhe nënvizoi se procesi i integrimit europian të vendit nuk ka ngadalësim. Ai theksoi se aktualisht Shqipëria ndodhet në një moment kyç, ku duhet të japë provimin më të rëndësishëm në historinë e modernizimit të vendit.

Në fjalën e tij gjatë një bashkëbisedimi me të rinj dhe studentë, Hoxha sqaroi se integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian është një proces kompleks që kërkon përkushtim, besueshmëri dhe bashkëpunim të vazhdueshëm me institucionet europiane.

Tangoja jonë me BE kërkon tre gjëra: të bëjmë detyrat e shtëpisë, të jemi të besueshëm dhe të bindim ata me të cilët ndërveprojmë, e para ndër të cilët është Komisioni Europian. Komisioni duhet të bindet se ne jemi të përgatitur dhe më pas Shqipëria dhe KE duhet të bindin vendet anëtare që gjithçka është bërë mirë, në kohën e duhur dhe me përgjegjësi, siç veprojnë vendet e tjera anëtare”, tha ministri.

Ai shtoi se procesi ka dinamikat e veta, teknike dhe politike, por Shqipëria po ecën sipas ritmit të përcaktuar së bashku me Komisionin Europian, duke mos lejuar ngadalësime.

“Jemi në momentin ku duhet të japim provimin më të rëndësishëm në historinë e modernizimit të Shqipërisë që quhet IBARS. Ky provim nuk është thjesht një detyrë administrative, por një shans për të treguar se Shqipëria është një partner i besueshëm, që mund të përmbushë standardet europiane dhe të japë garanci për të ardhmen”, deklaroi ministri.

Ministri nënvizoi gjithashtu rëndësinë e përfshirjes së të rinjve dhe institucioneve vendore në proces, duke theksuar se pjesëmarrja aktive, transparenca dhe përgjegjësia janë çelësat e suksesit. “Sa më shumë të angazhohemi dhe të kuptojmë procesin, aq më shumë mund të kontribuojmë për të sjellë rezultate konkrete për vendin dhe qytetarët tanë”, shtoi ai, transmeton rtsh.

Latest Posts

spot_imgspot_img

MOS I HUMB