Bernë, 15 dhjetor 2025 – Në kryeqytetin zviceran u zhvillua raundi i radhës i konsultimeve politike mes delegacioneve të Republikës së Shqipërisë dhe Konfederatës Zvicerane, një takim i rëndësishëm që dëshmon vullnetin e përbashkët për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe dhe bashkëpunimit në fusha me interes të ndërsjellë.
Delegacioni i palës shqiptare u kryesua nga Z. Gazmend Barbullushi, Drejtor i Përgjithshëm për Çështjet Politike dhe Strategjike në Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme, ndërsa delegacioni zviceran u drejtua nga Z. Pierre-Yves Fux, Drejtor i Divizionit për Euroazinë në Departamentin Federal për Punët e Jashtme të Zvicrës.

Gjatë konsultimeve, palët zhvilluan diskutime të hapura dhe shumë frytdhënëse mbi gjendjen aktuale dhe perspektivën e marrëdhënieve dypalëshe, duke vlerësuar nivelin e shkëlqyer të dialogut politik dhe bashkëpunimit tradicionalisht të fortë mes dy vendeve. Në këtë kuadër, u theksua rëndësia e thellimit të bashkëpunimit ekonomik, institucional dhe sektorial, si dhe nxitja e mëtejshme e investimeve dhe shkëmbimeve tregtare.
Një vëmendje e veçantë iu kushtua gjithashtu zhvillimeve rajonale dhe situatës së sigurisë në Evropën Juglindore, si dhe bashkëpunimit në kuadër të organizatave ndërkombëtare dhe proceseve multilaterale. Palët shkëmbyen mendime mbi sfidat aktuale globale, nevojën për koordinim të ngushtë diplomatik dhe rolin e diplomacisë shumëpalëshe në ruajtjen e paqes, stabilitetit dhe rendit ndërkombëtar të bazuar në rregulla.
Në fokus të diskutimeve ishte edhe Kryesimi i Zvicrës në Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) në vitin 2026. Delegacioni shqiptar shprehu mbështetjen e plotë për prioritetet e Kryesimit zviceran, duke nënvizuar rëndësinë e rolit të OSBE-së në promovimin e dialogut, ndërtimin e besimit dhe parandalimin e konflikteve.
Të dyja palët analizuan me kujdes ecurinë e bashkëpunimit ekzistues dhe përcaktuan piketat kryesore të bashkëpunimit për vitin e ardhshëm, me synim konkretizimin e nismave të përbashkëta dhe thellimin e partneritetit strategjik mes Shqipërisë dhe Zvicrës.
Në përfundim të takimit, konsultimet riafirmuan angazhimin e përbashkët për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve miqësore dhe bashkëpunimit gjithëpërfshirës mes dy vendeve, duke reflektuar vlerat e përbashkëta dhe interesin e ndërsjellë për paqe, zhvillim dhe stabilitet në rajon dhe më gjerë, njofton Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme
Republika e Shqipërisë, transmeton helveticALforum.ch




