Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj ka nënshkruar Marrëveshjen për Sigurimet Shoqërore ndërmjet Shqipërisë dhe Polonisë, duke shënuar një hap të rëndësishëm në forcimin e bashkëpunimit dypalësh mes dy vendeve.
Kjo marrëveshje garanton njohjen dhe totalizimin e periudhave të sigurimit për qytetarët shqiptarë dhe polakë që kanë jetuar apo punuar në secilin prej vendeve, të drejtën për përfitimin e pensionit të pleqërisë sipas moshës ligjore, si dhe mbrojtjen nga humbja e të drejtave si pasojë e lëvizjes ndërmjet dy shteteve.
“Marrëveshja synon të ofrojë siguri juridike dhe mbrojtje sociale për qytetarët, duke siguruar trajtim të barabartë dhe respektim të të drejtave të fituara në sistemet e sigurimeve shoqërore të të dy vendeve”, u shpreh Ministrja Ibrahimaj, pas nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje.
Sipas saj, ky akt përfaqëson një hap konkret në forcimin e marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Polonisë, si dhe një tjetër progres të rëndësishëm në rrugën e integrimit evropian të Shqipërisë, në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian për koordinimin e sistemeve të sigurimeve shoqërore.
Nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje konfirmon angazhimin e qeverisë shqiptare për mbrojtjen sociale të qytetarëve shqiptarë jashtë vendit dhe për zgjerimin e rrjetit të marrëveshjeve dypalëshe në funksion të interesit të tyre.
Aktualisht Shqipëria ka 17 Marrëveshje dypalëshe në zbatim, 5 marrëveshje të dakordësuara, ndërsa 3 të tjera dypalëshe për sigurimet shoqërore janë aktualisht në negociim ose në proces përgatitjeje. Kjo dëshmon angazhimin e vazhdueshëm të qeverisë shqiptare për zgjerimin e mbulimit të mbrojtjes sociale për qytetarët e saj jashtë vendit dhe për përafrimin e kuadrit të koordinimit të sigurimeve shoqërore me standardet e Bashkimit Evropian, transmeton rtsh.




