0.5 C
Zurich
Tuesday, December 23, 2025
spot_img
spot_img

Shoqëria e ekraneve dhe heshtja e librave

Duhet ti lexosh

Ngs Dashnim HEBIBI

Jetojmë në një kohë kur ekranet flasin pa pushim, ndërsa librat heshtin. Zhurma e përditshme e imazheve, videove dhe disa temave sipërfaqësore ka zënë vendin e mendimit të thellë dhe të reflektimit. Pushimi, që dikur ishte mundësi për qetësi dhe përmbledhje mendimesh, sot shpesh kthehet në konsum të pandërprerë përmbajtjesh që pak na japin e shumë na marrin: kohën.

Në këtë realitet, leximi mbetet një akt i vetëdijshëm dhe i nevojshëm. Ai nuk është arratisje nga jeta, por një mënyrë për ta kuptuar dhe jetuar atë më mirë. Leximi është frymëmarrje për shpirtin dhe dritë për mendjen, një proces i qetë që na rikthen aftësinë për të menduar, për të ndjerë dhe për të kuptuar thellë. 

Në libra gjejmë jetë të panumërta. Çdo faqe hap një botë të re, çdo histori na dhuron një ekzistencë tjetër. Përmes leximit udhëtojmë në kohë që nuk janë tonat, ecim në vende ku s’kemi qenë kurrë dhe përjetojmë dhimbje e gëzime që nuk na përkasin drejtpërdrejt, por që na formësojnë si qenie njerëzore. Çdo histori e lexuar mbetet pjesë e jona, një përvojë e shtuar në kujtesën shpirtërore. Leximi na mëson pa dhimbje dhe na rrit pa zhurmë.

Ai na jep përvoja që një jetë e vetme nuk do të mjaftonte t’i përjetonte. Nëpërmjet librave mësojmë empatinë, durimin dhe aftësinë për të parë botën me sy më të gjerë. Në një shoqëri që ushqehet gjithnjë e më shumë me sipërfaqësi, libri mbetet një formë rezistence kulturore.

Veçanërisht në kohën e pushimeve, libri duhet të rikthehet si shoqërues i natyrshëm i njeriut. Pushimi nuk është vetëm çlodhje fizike, por edhe ripërtëritje mendore dhe shpirtërore. Leximi na ndihmon të rikthejmë ekuilibrin, të dalim nga ritmi i shpejtë i ekranit dhe të kthehemi te ritmi njerëzor i mendimit.

Shoqëria e disa ekraneve na ofron zhurmë të vazhdueshme, por pak kuptim. Librat, edhe pse të heshtur, na flasin më thellë. Ata na ruajnë nga varfëria shpirtërore dhe nga humbja e vetëdijes kolektive. Në vend që ta shkelim kohën që po na ikën duke parë e dëgjuar tema të zbrazëta dhe shpesh të dëmshme për shoqërinë, libri na ofron një rrugë më të shëndetshme dhe më njerëzore për të jetuar.

Në fund, ai që lexon nuk është kurrë vetëm dhe kurrë i varfër shpirtërisht. Sepse, mes heshtjes së librave, fshihet zëri më i fortë i mendimit të lirë. / HelveticALforum.ch

- Reklama -spot_img

Më shumë artikuj

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

- Reklama -spot_img

Të ngjashme