POSTIMET E FUNDIT

Shoqata kulturore shqiptare “Shkëndija” zhvillon takim të rëndësishëm me Këshillin për Pakicat Kombëtare të Kroacisë

Kryetarja e shoqatës kulturore shqiptare në Kroaci “Shkëndija”, znj. Gentiana Lleshdedaj, së bashku me sekretarin e shoqatës, z. Shpejtim Rexha, kanë zhvilluar një takim të rëndësishëm pune me kryetarin e Këshillit për Pakicat Kombëtare të Republikës së Kroacisë, z. Tibor Varga. Në takim mori pjesë edhe zëvendëskryetarja e Këshillit, znj. Ida Balić.

Siç mëson helveticALforum.ch, ky takim u vlerësua si mjaft domethënës për vazhdimin dhe forcimin e bashkëpunimit institucional ndërmjet Shoqatës “Shkëndija” dhe Këshillit për Pakicat Kombëtare. Gjatë takimit, përfaqësuesit e shoqatës prezantuan aktivitetin dhe misionin e saj, si dhe projektet e planifikuara për vitin 2026.

Diskutimet u fokusuan veçanërisht në ruajtjen dhe promovimin e gjuhës dhe kulturës shqiptare në Kroaci, zhvillimin e aktiviteteve kulturore dhe edukative për komunitetin shqiptar, si dhe krijimin e programeve që synojnë forcimin e identitetit kulturor dhe përfshirjen aktive të brezave të rinj.

Kryetarja Gentiana Lleshdedaj theksoi rëndësinë e mbështetjes institucionale për realizimin e projekteve afatgjata, duke vlerësuar rolin e Këshillit për Pakicat Kombëtare në garantimin e të drejtave dhe zhvillimin kulturor të pakicave në Republikën e Kroacisë. Nga ana tjetër, përfaqësuesit e Këshillit shprehën gatishmërinë për bashkëpunim të mëtejmë dhe mbështetje ndaj iniciativave që kontribuojnë në pasurimin e diversitetit kulturor në vend.

Ky takim konfirmon angazhimin e Shoqatës kulturore shqiptare “Shkëndija” për të qenë një faktor aktiv në jetën kulturore dhe shoqërore të shqiptarëve në Kroaci, duke ndërtuar ura bashkëpunimi me institucionet shtetërore dhe duke promovuar vlerat e identitetit shqiptar në një frymë dialogu dhe mirëkuptimi, transmeton helveticALforum.ch

Latest Posts

spot_imgspot_img

MOS I HUMB