
Nga Dashnim HEBIBI
Bashkatdhetarët tanë – zemra që rreh për atdheun edhe larg tij
Mërgata shqiptare në Zvicër dhe kudo në botë mbetet një ndër shtyllat më të forta të kombit tonë. Kontributi i tyre nuk është ndalur asnjëherë, e as që do të ndalet. Brezat e parë të mërgimtarëve, të cilët me shumë mund e sakrificë mbanin gjallë lidhjen me atdheun, ia trashëguan fëmijëve të tyre dashurinë për gjuhën, traditat dhe kulturën shqiptare. Kjo dashuri u bë pjesë e karakterit dhe e shpirtit të tyre, një thesar që nuk hiqet kurrë nga zemra.
Edhe pse institucionet tona shpeshherë nuk ofrojnë mbështetjen e duhur për projekte që i shërbejnë mërgatës, bashkatdhetarët tanë nuk janë mësuar të presin. Ata veprojnë, organizohen dhe kontribuojnë vetë. Qeveritë vijnë e shkojnë, por kombi dhe shteti mbeten – e janë pikërisht mërgimtarët ata që vazhdojnë të jenë arteria e gjallë e këtij organizmi të madh të quajtur “atdhe”.
Sport, solidaritet dhe bashkim – Turneu i 2-të i Futbollit në Sallë “Koretini 2025” me datë 07 dhjetor ( E diel).
Krahas aktiviteteve të shumta kulturore e atdhetare, mërgata jonë po dëshmon se është e shkëlqyer edhe në sport. Aktiviteti sportiv i Shoqatës Koretini në Zvicër është bërë tashmë traditë e mirëfilltë. Turneu i futbollit, me karakter humanitar, jo vetëm që mbledh sportdashës nga trojet dhe diaspora, por edhe krijon një atmosferë të veçantë bashkimi.
Organizatorët njoftojnë se përgatitjet po ecin mrekullisht dhe interesimi është i madh. Në mesin e ekipeve pjesëmarrëse do të jetë edhe ekipi i Shoqatës Humanitare “Topanica”, me kryetar Prof. Burhan Morina. Ai ka bërë të ditur se futbollistët e ekipit tashmë kanë përfunduar përgatitjet dhe pajisjet sportive janë gati.
“Ky organizim është i shkëlqyer. Ne e mirëpritëm menjëherë ftesën dhe do të vazhdojmë të mbështesim çdo nismë të mirë që i shërben komunitetit tonë,” tha z. Morina.

Një ditë futbolli, argëtimi dhe humanizmi
Pas suksesit të madh të vitit të kaluar, Turneu i 2-të i Futbollit në Sallë – Koretini 2025 rikthehet edhe më i fuqishëm:
- Vetëm 24 ekipe do të kenë mundësinë të garojnë në këtë turne për të rritur, ku loja e bukur, sportiviteti dhe pasioni janë në qendër.
- Për vizitorët dhe sportistët do të ketë kuzhinë të ngrohtë dhe pije freskuese.
- Të gjitha të ardhurat nga turneu do të shkojnë për projekte bamirësie, duke i kthyer golat dhe fitoret në ndihmë konkrete për njerëzit në nevojë.
Ky turne është më shumë se garë sportive – është një dëshmi e gjallë se mërgata jonë ruan zemrën e madhe, solidaritetin dhe vlerat që e kanë mbajtur kombin tonë të fortë ndër shekuj.
Regjistrimet janë të hapura:
https://futsal2025.koretini.me
Bashkohuni në këtë festë sporti dhe humanizmi – sepse mërgata jonë gjithmonë e ka ditur se si të mbështesë, të kontribuojë dhe të bashkohet për të mirën e përbashkët. Sponsor medial do të jetë helveticALforum.ch.




