POSTIMET E FUNDIT

Shoqata Humanitare “Medvegja” në Zvicër organizoi mbrëmje festive për Pavarësinë e Kosovës, Ditën e Mësuesit dhe Ditën e Gruas

Përgatiti Dashnim HEBIBI

Fully, 07 mars 2026 – Shoqata Humanitare “Medvegja”, me qendër në Fully të Zvicrës, organizoi mbrëmjen e kaluar një mbrëmje festive të veçantë, duke shënuar njëkohësisht katër data të rëndësishme, 18-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, 7 Marsin – Ditën e Mësuesit dhe 8 Marsin – Ditën Ndërkombëtare të Gruas, si dhe 1, 2 marsin e vitit 1992- Referendumin e Kosovës Lindore për ribashkim me Kosovën. Në këtë manifestim u mblodhën medvegjas nga e gjithë Zvicra, duke e kthyer këtë aktivitet në një takim të madh të komunitetit të Medvegjës në mërgatë. Kryesia e shoqatës priti dhe nderoi secilin mysafir që kishte ardhur nga të gjitha trevat shqiptare për të nderuar dhe festuar së bashku me bashkëvendësit e tyre, duke krijuar një atmosferë të ngrohtë dhe plot krenari kombëtare.

Pamje të veçanta dhe shumë emocionale dhuruan fëmijët e shumtë që kishin veshur kostume kombëtare shqiptare. Ata ishin padyshim gëzimi më i madh i kësaj mbrëmjeje, duke dëshmuar se tradita, gjuha dhe kultura shqiptare po ruhen dhe po përcillen me krenari edhe tek brezat e rinj në diasporë. Manifestime të tilla kanë një ndikim të madh në ruajtjen e identitetit kombëtar, duke mbajtur gjallë gjuhën, traditat dhe kulturën shqiptare larg vendlindjes.

Edhe pse kryesia e shoqatës është zgjedhur së fundmi dhe koha për organizim ishte relativisht e shkurtër, falë përvojës së veprimtarëve që prej vitesh janë pjesë e kësaj shoqate, organizimi u realizua me sukses. Për më shumë se 30 vjet me radhë, Shoqata Humanitare “Medvegja” ka organizuar aktivitete të tilla dhe nuk lejoi që kjo traditë të ndërpritet.

Mbrëmja u shoqërua me një program të pasur artistik me këngë nga këngëtarë të njohur dhe valle shqiptare. Grupi “ShKA Medvegja”, me interpretimet e tyre, dëshmoi se medvegjasit nuk do të ndalen së kujtuari dhe së punuari për vendlindjen dhe për tokën e të parëve të tyre.

Emocione të veçanta solli edhe grupi folklorik “Musa Neziri”, i cili me këngët e tyre kushtuar Kosovës, Shqipërisë, Adem Jasharit dhe dëshmorëve të tjerë të kombit u dhuroi të pranishmëve momente të paharrueshme dhe shumë emocionuese.

Të pranishmit i përshëndeti edhe kryetari i sapozgjedhur i shoqatës, veprimtari i njohur Zenel Neziri, i cili në fjalën e tij theksoi rëndësinë e kësaj mbrëmjeje dhe të bashkimit të mërgatës rreth vlerave kombëtare. Ai kujtoi me krenari 18-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, duke theksuar se kjo ishte një ëndërr shekullore e realizuar falë sakrificës së brezave të tërë. Në mënyrë të veçantë u përmend roli i Presidentit historik Ibrahim Rugova, si arkitekt i pavarësisë, si dhe kontributi i udhëheqësve dhe luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Po ashtu u përkujtuar me respekt të thellë Epopeja e UÇK-së dhe sakrifica e komandantit legjendar Adem Jashari dhe familjes Jashari, të cilët mbeten simbol i qëndresës dhe i lirisë së popullit shqiptar. Në fjalën e tij u vlerësua edhe 7 Marsi – Dita e Mësuesit, duke shprehur mirënjohje për të gjithë mësimdhënësit që edhe në rrethana të vështira mbajtën gjallë dritën e dijes dhe të gjuhës shqipe. Një moment tjetër i rëndësishëm që u përmend ishte edhe referendumi i 1 dhe 2 Marsit për ribashkimin e Kosovës Lindore me Kosovën, si dëshmi e vullnetit të shqiptarëve të atyre trevave për të jetuar të lirë dhe të barabartë.

Kryetari Zenel Neziri theksoi se Shoqata Humanitare “Medvegja” është shumë më tepër sesa një shoqatë – ajo është një mision që lidh mërgatën me vendlindjen dhe që ndihmon familjet në nevojë, nxënësit dhe komunitetin në përgjithësi. Në përmbyllje të mbrëmjes u vlerësua edhe kontributi i artistëve, sponsorëve dhe të gjithë atyre që ndihmuan në realizimin e këtij organizimi. Në fund u përmendën me krenari edhe fëmijët,  të rinjtë dhe grupi i te rriturve e “ShKA Medvegja”, të cilët shkëlqyen në skenë si shqiponja, duke dhënë emocione të veçanta për të gjithë të pranishmit. Kjo mbrëmje dëshmoi edhe një herë se Shoqata Humanitare “Medvegja” ka një histori të rëndësishme në komunitetin shqiptar në Zvicër. Me përkushtimin dhe punën e veprimtarëve të saj me dekada, ajo vazhdon të shkruajë historinë e saj me shkronja të arta dhe premton se këtë rrugë do ta vazhdojë edhe në të ardhmen.

Foto nga Marigona Neziri Kadriu

Latest Posts

spot_imgspot_img

MOS I HUMB