/ Nga: Dashnim HEBIBI, Zürich/
Shoqëria Kulturore-Artistike “Dardania” nga Winterthuri ka nisur me shumë përkushtim realizimin e projekteve të parapara për vitin 2025. Aktivitetet do të kulmojnë me pjesëmarrje në festivale të ndryshme, duke filluar nga data 17 maj, e më tej gjatë vitit. Përgatitjet janë në vazhdim, dhe energjia pozitive e të rinjve dhe fëmijëve të angazhuar në këtë shoqëri ka dhënë fryte të dukshme.

Kryesia dhe udhëheqja artistike e SH.K.A “Dardania” janë duke punuar në realizimin e tri valleve të reja me motive të ndryshme, pa lënë anash edhe ato që u paraqitën si premierë vitin e kaluar. Këto valle janë pjesë e përpjekjeve për të ruajtur dhe promovuar trashëgiminë tonë kulturore, edhe në mërgatë.

Një falënderim i veçantë i shkon koreografit dhe valltarit Gezim Alimehmeti, i cili po ndihmon në realizimin profesional të këtyre valleve, që më pas do të përpunohen dhe përshtaten nga asistentët tanë të koreografisë. Qëllimi është i qartë: të ruajmë dhe kultivojmë sa më shumë këngët dhe vallet tona tradicionale shqiptare. Falënderojmë pafundësisht edhe valltarët si dhe prindërit e tyre.
Për të përmbushur me sukses këto synime, është e nevojshme mbështetja e mërgatës dhe e veprimtarëve ekonomikë, veçanërisht në përballimin e shpenzimeve për veshje të reja tradicionale, të cilat do të përfaqësojnë krahinat dhe trevat tona shqiptare.

Shefqet Cakolli, kryetar i SH.K.A “Dardania” në Winterthur, mbetet një flakadan i gjallë i ruajtjes së kulturës dhe traditave tona kombëtare. Edhe pse larg atdheut dhe pa mbështetje institucionale, ai vazhdon me shumë elan dhe shpirt të pastër mërgimtari. Si gjithmonë, kur qëllimi është i mirë dhe i pastër për kombin, priten risi dhe suksese të reja.
SAM24.info




