Një Mbrëmje e madhe Ku Flamuri, Kultura dhe Tradita Shqiptare Ndriçuan Zemrat e Mërgatës

Nga Dashnim HEBIBI
Winterthur, 22 nëntor 2025- Jemi në muajin nëntor dhe gjithandej mërgatës ka aktivitete të shumta. Mbrëmë patëm nderin që të jemi me ftesë të SH.K.A „Dardania“ për një përvojë 31 vjet në skenë me programe të shumta e me veprimtari titanike. Shoqëria ka një monografi si pasaportë për 20 vjet veprimtari artistike, duke kontribuar për ruajtjen e gjuhës e traditave tona kombëtare në diasporë.

Është e pamundur të përshkruash me fjalë mbrëmjen e djeshme. Gjithçka ishte profesionale, edhe pse kemi të bëjmë me fëmijë që kanë lindur e rritur në mërgim. Prej grupit të vegjëlve e deri te të rriturit, emocionet ishin të papërshkrueshme.

Edhe pse temperaturat mbrëmë ishin -6 gradë, Shefqet Cakolli, president i Shka Dardania, kishte dalë jashtë për t’i pritur mysafirët – një gjest që u vlerësua shumë. Kur u futëm në sallë, pamë korridore plot pjesëmarrës dhe “shqiponjat e vogla” jepnin zhurmë duke u përgatitur dhe duke pritur mysafirët. Nuk mund të mos vlerësojmë lart edhe nënat shqiptare që kishin përgatitur ushqime të llojllojshme, sidomos kuzhinën shqiptare, që ma kujtoi nënën time tashmë të ndjerë, me ushqimet e shijshme tradicionale që kemi ne shqiptarët.
Për skenën, çfarë të flas është pak, por e tëra ishte mrekulli.
Skënderbeu, Adem Jashari, Ismail Qemali e flamuri kombëtar mbulonin sallën mbi 12 metra. Sa punë ishte dashur të përgatitemi! Ishte sallë profesionale zvicerane, e përmbushur.

Ora 20:00 filloi programi me një moderim të shkëlqyer nga zonjusha Viola Kastrati që kishte ardhur nga Dardana e Kosovës e njëherit është edhe studente në Kosovë. Me gjuhë të rrjedhshme dhe me emocione, ajo na bëri që ta përcjellim me kujdes çdo detaj, sepse gjithçka shkonte mirë. Vajza e z. Cakolli, tashmë nënë dhe me vajzën e saj të vogël në skenë, na dha emocione të veçanta, pra çdo detaj përkujdeseshin Albulena Cakolli-Kqiku dhe ekipi i saj.
Programi për festën e Flamurit, Ditën e Alfabetit dhe 31-vjetorin e Shoqërisë
Hyrje me koreodramë-skenografi të përgatitur nga Albulena, me Shqiponjën dhe Flamurin Kombëtar, së bashku me një inskenim teatral me shumë fëmijë dhe të rinj dhe një këngë të re. Më pas ishte hymni dhe një minut heshtje.

Vallja Arbëreshe,
Vallja e Tropojës,
grupi i mesëm,
Lojra fëmijësh,
grupi i fëmijëve,
Vallë instrumentale,
Aurelia + Kleofina Balaj,
Kënga me grupin e fëmijëve, letër nga Presheva,

Vallja për Çerçiz Topullin, premier, grupi i të rriturëve,
Kënga e Alfabetit dhe inskenimi, grupi i të vegjëlve,
Vallja e Tropojës, SH.K.SH. “ILIRIA”,
Vallja me motive Tiranase, premier, grupi i mesëm,
Vallja e Zanave, grupi i vajzave të Shka Dardania,
Kënga “E bukura More”, grupi i të vegjëlve “Iliria”,
Vallja Tiranase, grupi i mesëm i SH.K.SH “Iliria”, Vallë instrumentale, nga grupi i orkestrës së Dardanisë,

Kënga “Kush e nisi”, Hamit Shillova dhe Ekrem Beqiri,
Recitime,
Vallja Çame, premier, grupi i të rriturëve,
Vallja me motive nga Burreli, premier, grupi i mesëm,
Instrumentale me kavalla, Hamit Shilova,
Këngë për flamurin, orkestra e Dardanisë,
5. Recitime,
Vallja Myzeqare, grupi i të rriturëve.

Programi artistik mbaroi këtu, dhe më pas vazhdoi me muzikë live nga orkestra e Dardanisë, dhe më pas vazhduam në hollin e sallës, në katin e parë.
Fjalimi ceremonial i z. Shefqet Cakolli, President i SH.K.A. “Dardania”
Presidenti Shefqet Cakolli, i lodhur fizikisht, por me sy e shpirt që jepnin dritë, përshëndeti mbi 500 bashkatdhetarë. Fjalimi i tij ceremonual:
“Të nderuar mysafirë, përfaqësues të institucioneve,
Të dashur bashkatdhetarë,
Të respektuar artistë, prindër dhe fëmijë,
Zonja dhe zotërinj,
Është nder i jashtëzakonshëm që sot, në këtë ditë të shënuar të 22 Nëntorit, të qëndroj para jush për të festuar tri ngjarje të mëdha kombëtare, që për ne shqiptarët mbajnë peshë të veçantë historike dhe shpirtërore.

Sot, ne nderojmë Flamurin tonë Kombëtar, simbolin më të lartë të sakrificës shekullore dhe të qëndresës së pathyeshme të popullit shqiptar. Nën hijen e këtij flamuri u rritën breza të tërë që luftuan për dinjitet, për liri dhe për identitetin tonë kombëtar. Pikërisht nën këtë flamur u kurorëzua edhe ëndrra e madhe e kombit – Pavarësia e Shqipërisë më 1912, dhe Pavarësia e Kosovës më 2008, momenti që vulosi të drejtën tonë për të qenë të lirë, për të qenë vetvetja.

Ky flamur është kredoja jonë, është amaneti që na lanë të parët, dhe është krenaria që na shoqëron kudo — në Atdhe dhe në mërgatë. Sot, ai valon me të njëjtën forcë, me të njëjtën histori dhe me të njëjtin dinjitet, sikurse në ditën kur u ngrit për herë të parë në Vlorë.

Po ashtu, sot shënojmë me respekt të thellë Ditën e Alfabetit të gjuhës shqipe, një ditë që rikujton vizionin, dijen dhe përkushtimin e Rilindësve tanë, të cilët, me guxim e urtësi, i dhanë gjithësisë shqiptare një alfabet të përbashkët dhe një gjuhë të unifikuar. Gjuha jonë është identiteti ynë, dhe alfabeti është themeli mbi të cilin ndërtojmë dijen, kulturën dhe brezat e ardhshëm.

Dhe pikërisht sot, me emocion të veçantë, shënojmë edhe 31 vite nga themelimi i Shoqërisë Kulturore-Artistike “Dardania”. Tri dekada punë të palodhshme, tri dekada me aktivitete, me suksese, me sfida dhe me arritje, tri dekada në shërbim të kulturës shqiptare këtu në Zvicër.
“Dardania” është bërë një vatër e identitetit tonë, një shkollë për shumë breza, një shtëpi ku vallja, kënga, gjuha dhe tradita jonë jo vetëm që ruhen, por shkëlqejnë në sytë e publikut dhe e brezave të rinj.
Me këtë rast, dua të shpreh mirënjohjen time më të thellë:
– për anëtarët themelues që hodhën themelet e kësaj shoqërie,
– për çdo kryesi që ka vazhduar misionin me nder,
– për artistët tanë që e mbajnë gjallë skenën,
– për fëmijët tanë, që sot janë pasqyra e të ardhmes sonë,
– për prindërit, për mbështetjen e tyre të palëkundur,
– dhe për të gjithë bashkëpunëtorët, miqtë dhe sponsorët e donatorët tanë që kanë qenë dhe mbeten krah nesh.

Tradita është trashëgimi – por është edhe përgjegjësi. Dhe ne, së bashku, do të vazhdojmë ta ruajmë, ta kultivojmë dhe ta pasurojmë kulturën tonë, ashtu siç kemi bërë për 31 vite rresht.
Në emër të Shoqërisë Kulturore-Artistike “Dardania”, ju uroj nga zemra:
Gëzuar Festën e Flamurit!
Gëzuar Ditën e Alfabetit!
Gëzuar 31-vjetorin e Dardanisë!
Zoti i bekoftë shqiptarët kudo që janë!
Rrofshi dhe ju faleminderit për praninë tuaj!”
Krejt në fund të kësaj fjale, të gjithë e duartrokiten z. Cakolli.
Zëvendës-konsullja e Kosovës në Cyrih, Ardita Mustafa, përshëndeti organizatorët dhe, ndër të tjera, vlerësoi lart punën që ka bërë dhe po bën kjo shoqëri.

Fjalët e Dr. sc. Dashnim Hebibi
Dr. Hebibi, i cili e ka përcjellur me vite këtë shoqëri, pas përshëndetjes së z. Cakolli dhe familjes së tij, përshëndeti edhe zv. konsullen e Kosovës në Cyrih, Ardita Mustafa, Prof. Dr. Xhavit Lipaj, Prof. Naser Ulaj, veprimtarin dhe afaristin Nadi Zendeli, mjeshtrin e fotografisë Daut Luboja dhe të gjithë të pranishmit.
Ai tha:
“I nderuar Ambasador i artit dhe kulturës shqiptare në Zvicër, President i SH.K.A. “Dardania”, z. Shefqet Cakolli, e nderuara kryesi, anëtarë të shoqërisë, të rinj – drita e së ardhmes, të nderuar prindër, përfaqësues të Konsullatës së Kosovës, i nderuar Prof. Dr. Xhavit Lipaj, i nderuar Prof. Naser Ulaj, kryetar i LAPSH-it për kantonin Cyrih, bashkë me mësuesit e nderuar, zonja dhe zotërinj, miq të kulturës kombëtare.
Sonte nuk jemi mbledhur vetëm për festë, por për t’u përkulur para punës, kujtesës dhe shpirtit shqiptar që në mërgatë nuk është shuar kurrë.
Le ta nis me nderimin e veçantë për ju, z. Shefqet Cakolli – Ambasador i artit dhe kulturës sonë në Zvicër dhe President i SH.K.A. “Dardania”. Prej 31 vitesh po mbani gjallë këngën, vallen dhe identitetin tonë në këtë vend mikpritës. Tre gjeneratat që shohim sonte në skenë – ju, vajza dhe mbesa – janë dëshmia më e bukur se vepra juaj ka rrënjë të thella.

Për tri dekada, SH.K.A. “Dardania” ka qenë shtëpia shpirtërore e shqiptarëve në Zvicër. Ju ngritët përmendoren e Nënë Terezës në Winterthur dhe keni përfaqësuar kulturën tonë me dinjitet e profesionalizëm kudo.
Ka ardhur koha të themi me zë të fortë:
Le t’i nderojmë punëtorët modest.
Le t’i vlerësojmë meritorët.
Le t’i shpërblejmë ata që bëjnë vepra, jo premtime.
Sot festojmë me krenari 28 Nëntorin – ditën e flamurit, të pavarësisë, të identitetit tonë. Festojmë edhe Ditën e Alfabetit dhe 31-vjetorin e shoqërisë “Dardania”, një gur i çmuar i kulturës shqiptare në diasporë.
Le të shikojmë drejt brezit të ri – aty është e ardhmja jonë. Detyra jonë është të lëmë pas gjuhën, traditën, këngën dhe flamurin.
Me mirënjohje falënderojmë shtetin zviceran për hapësirën dhe respektin që na ka dhënë.
Lavdi dëshmorëve të kombit.
Zoti e bekoftë kombin shqiptar kudo që ndodhet.
Gëzuar 28 Nëntorin!
Rroftë gjuha shqipe!
Rroftë mërgata!
Rroftë kombi shqiptar!”
Fjalët e Prof. Dr. Xhavit Lipaj
Prof. Lipaj, pas përshëndetjes për organizatorët dhe të pranishmit, tha:
“Të nderuar bashkatdhetarë, të nderuar mysafirë, artistë dhe miq të kulturës shqiptare,
Sot, larg atdheut por afër shpirtit të tij, festojmë një nga ditët më të shenjta të historisë sonë: 28 Nëntorin, ditën e flamurit dhe të pavarësisë, ditën që na bashkon dhe na kujton se kush jemi.
Në këtë ditë nderojmë sakrificën, gjakun dhe vizionin e burrave të kombit, nga Gjergj Kastrioti Skënderbeu te Ismail Qemali, nga Hasan Prishtina te të gjithë ata që mbajtën gjallë emrin shqiptar në kohët më të rënda.
Sot shënojmë edhe Ditën e Alfabetit, ditën kur fjala shqipe u bë dritë e identitetit tonë dhe armë e ruajtjes së kombit.

Këtu në Winterthur, ne festojmë edhe një jubile të veçantë: 31-vjetorin e SH.K.A. “Dardania”, një shoqëri që për tri dekada ka mbajtur të gjallë kulturën, këngën, vallen dhe traditën tonë shqiptare. Falënderim i veçantë për të gjithë artistët, valltarët, këngëtarët dhe njerëzit e zemrës që e kanë ndërtuar dhe forcuar këtë vatër shqiptarie.
Jemi pjesë e një kombi që nuk u përkul, por u ringrit; që nuk u zhduk, por u përjetësua; që gjithmonë ka parë përpara me shpresë.
Sonte festojmë jo vetëm një datë, por një ndjenjë.
Një histori.
Një identitet.
Një komb.
Urime 28 Nëntori!
Urime Dita e Alfabetit!
Dhe urime 31-vjetori i SH.K.A. “Dardania”!
Faleminderit!”
Edhe Nadi Zendeli për HelveticALForum e vlerësoi shumë këtë shoqëri dhe tha se ndihej sikur ishte në Gostivar, Tiranë apo në Prishtinë;
çdo gjë që mund të shkruajmë është pak për të përshkruar emocionet, dhe edhe nëse tre kamera regjistronin ngjarjen, prap nuk mundën të kapnin emocionin e të pranishmëve. Vallja e Çerçiz Topullit nuk është e lehtë për t’u realizuar, dhe lirisht mund të thuhet se z. Cakolli është ndër të parët që e realizoi këtë program me shoqëri, ku edhe ai vetë luajti në skenë. Veshja e valltarëve dhe lëvizjet e z. Cakolli na dhanë emocione të veçanta dhe të gjithë u ngritën në këmbë për respekt. Programi ishte jashtëzakonshëm, ku iu këndua arbëreshëve, çamëve dhe Luginës së Preshevës.

Mbrëmja e 22 nëntorit në Winterthur nuk ishte thjesht një përkujtim i datave historike apo një festë tradicionale. Ishte një dritë që shpërtheu mbi zemrat e çdo shqiptari të pranishëm, një pulsim që ndau emocionin e atdheut me çdo fëmijë, të ri dhe të rritur që hodhi hapin mbi skenë. Në atë sallë të mbushur plot jetë, flamuri valonte jo vetëm mbi skenë, por mbi shpirtin e secilit prej nesh, duke na kujtuar se identiteti ynë nuk është thjesht një fjalë, por një histori, një rrënjë, një flakë që nuk shuhet.
Çdo këngë, çdo vallëzim, çdo recitim ishte një mesazh i thjeshtë, por i fuqishëm: se gjuha, kultura dhe traditat tona janë dhurata që duhet t’i mbajmë gjallë dhe t’i përçojmë brezave të rinj. Programi i mbrëmjes, i realizuar me profesionalizëm të rrallë, tregoi se pasioni dhe përkushtimi mund të bëjnë mrekulli; se një shoqëri që punon me zemër mund të krijojë një vatër ku brezat bashkohen, ku identiteti gjen strehë, ku tradita lulëzon.
Shoqëria “Dardania” tregoi se mërgata nuk është kufi, por një urë ku kulturohen vlerat më të larta të kombit. Fëmijët, të rinjtë dhe të rriturit e përfshirë, me çdo lëvizje, me çdo këngë, sollën jo vetëm emocion, por edhe një mesazh për brezat që vijnë: se rrënjët tona janë të forta, se gjuha jonë është e gjallë, se tradita jonë nuk shuhet kurrë.

Kjo mbrëmje ishte një kujtesë e fuqishme: se bashkimi, dashuria për kulturën dhe përkushtimi i palodhur e bëjnë një komunitet të pathyeshëm. Ishte një mesazh për të gjithë shqiptarët – këtu dhe kudo në botë – se ne jemi më shumë se fjalë; ne jemi histori, shpirt dhe ëndërr e përjetshme. Mbrëmja e 22 nëntorit u bë kështu një simbol i krenarisë, i pasionit dhe i shpresës, një kujtesë se kultura jonë nuk njeh kufij dhe do të vazhdojë të shkëlqejë për brezat që vijnë.
Fjala e fundit e këtij reportazhi:
Ju lumtë dhe të pafshim për jetë, z. Shefqet Cakolli, je frymëzim i gjeneratave të reja. Foto nga Daut Luboja, mjeshtër.
P.S.: Nuk lejohet të merren fotot nga asnjë media tjetër pa lejen e autorit.




