Anëtarësimi dhe operacionalizimi i SEPA (Zona Unike e Pagesave në Euro) ka sjellë një ulje të konsiderueshme të kostove të transfertave për Shqipërinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut, duke e bërë më të lehtë dhe më të lirë kryerjen e pagesave ndërkufitare në euro.
Sipas një studimi të Bankës Botërore, për transfertat prej 5 mijë eurosh kostoja mesatare e transaksioneve ka rënë nga 0,76% në 0,08%, duke shënuar një ulje prej rreth 90%, ndërsa për transfertat prej 20 mijë eurosh ulja arrin mbi 95%, nga 0,47% në 0,02%.
Kjo përkthehet në një përfitim të drejtpërdrejtë financiar për qytetarët dhe bizneset, ndërsa ekonomia shqiptare pritet të kursejë rreth 70 milionë euro gjatë vitit të parë të implementimit.
Ekspertët theksojnë se rezultatet janë pasojë e punës sistematike të Bankës së Shqipërisë për përafrimin me standardet evropiane, modernizimin e infrastrukturës së pagesave dhe sigurimin e transferta më të shpejta, më të sigurta dhe më të lira.
Përfitimet e SEPA-s shtrihen përtej uljes së kostove, duke forcuar integrimin financiar të Shqipërisë me Bashkimin Evropian dhe duke krijuar mundësi të reja për tregti dhe investime ndërkufitare.
Zona Unike e Pagesave në Euro (SEPA) është një shtrirje gjeografike prej 41 shtetesh, një ndër të cilat është edhe Shqipëria.
Të gjitha vendet anëtare të SEPA-s janë të detyruara të kryejnë dhe pranojnë pagesa në monedhën euro për të gjithë individët, bizneset dhe institucionet, brenda dhe midis vendeve anëtare të SEPA-s, me të njëjtat kushte, rregulla dhe procedura si për pagesat kombëtare në euro.
Shqipëria u anëtarësua në SEPA në vitin 2024, pas një procesi të gjerë harmonizimi rregullator, përditësimi të infrastrukturës, testimesh teknike dhe vendimmarrjes për uljen e komisioneve bankare për pagesat në euro.
Prej 7 tetorit 2025 një transfertë elektronike në euro nga Tirana në Bruksel përpunohet dhe kushton njësoj si një pagesë në euro nga Tirana në një qytet tjetër të vendit, transmeton rtsh.




