Saranda ka pritur këtë të martë kroçerën e parë për sezonin turistik 2026, anijen gjigante turistike “Sapphire Princess”, e cila mbërriti me rreth 2,672 turistë në bord.
Për shkak të përmasave të saj, anija u ankorua në rad dhe pasagjerët u transportuan drejt bregut me lançet e brendshme.
Turistët e organizuar në grupe vizituan atraksionet kryesore të qytetit dhe zonës përreth, si sinagoga ebraike, kompleksi muzeal, kalaja e Lëkurësit, si dhe destinacionet e njohura të Butrintit dhe Ksamilit.
Kroçera, e cila erdhi nga Italia, do të vijojë itinerarin e saj pasditen e sotme drejt Greqisë. “Sapphire Princess” ka një gjatësi prej 290 metrash, peshë 116 mijë ton dhe një ekuipazh prej 1,400 personash, duke e bërë një nga anijet më të mëdha që vizitojnë portin e Sarandës, transmeton rtsh.




