POSTIMET E FUNDIT

Sal Da Vinci fiton Sanremon, triumfon me këngën “Per sempre sì”

Pas pesë netësh plot emocion, muzikë dhe spektakël, festivali i 76-të i këngës italiane njohu edhe fituesin e këtij edicioni. Sal Da Vinçi ka triumfuar me këngën  “Per sempre sì”!

Sal Da Vinci u shpall fitues i Sanremo 2026 me këngën “Per sempre sì”! Një triumf ky për artistin me rrënjë napoletane, i cili pushtoi zemrat e publikut me një baladë klasike italiane plot emocion dhe elegancë.

Në natën finale u ngjitën në skenë 30 artistë për të performuar këngët e tyre. Pas kombinimit të votave nga netët e para dhe performancës finale, Sal Da Vinci triumfoi me këngën “Per sempre sì”, duke lënë pas Sayf – Tu mi piaci tanto, Ditonellapiaga – Che fastidio, Arisa – Magica favola, Fedez & Marco Masini – Male necessario.

Sal Da Vinci (Salvatore Michael Sorrentino), 56 vjeç, me origjinë nga Napoli (por lindur në Nju Jork), ka një karrierë të gjatë në muzikën napoletane dhe italiane.

Ka marrë pjesë më herët në Sanremo në vitin 2009 ku zuri edhe vendin e tretë, ndërsa dje u kthye si triumfues.

Kënga “Per sempre sì” është shkruar nga një ekip autorësh dhe shënon një kthim triumfues në skenën më të madhe italiane.

Në natën e fundit, skena u ndriçua nga performanca e paharrueshme e Andrea Bocelli, i cili këndoi “Il mare calmo della sera” (fituese në Nuove Proposte 1994) dhe klasiken “Con te partirò”.

Në Suzuki Stage, Pooh sollën nostalgji me “Uomini soli”, ndërsa Max Pezzali mbylli javën me hitet e 883-s: “Come mai” dhe “Nessun rimpianto”.

Ndërkaq, Carlo Conti, i cili drejtoi festivalin për dy vite radhazi bëri të ditur se nuk do të kthehet më si prezantues dhe drejtor artistik.

Pasardhësi i tij për Sanremo 2027 do të jetë Stefano De Martino, i cili do të marrë rolin e prezantuesit dhe drejtorit artistik.

Italia në Eurovizion

Pas triumfit të madh në Festivalin e Sanremos me këngën “Per sempre sì”, artisti napoletan Sal Da Vinci ka të drejtën për të përfaqësuar Italinë në Eurovision Song Contest 2026, që do të mbahet në Vjenë (Austri) nga 12 deri më 18 maj.

Megjithatë, pjesëmarrja nuk është e detyrueshme: fituesi i Sanremos ka të drejtën të pranojë ose të refuzojë pjesëmarrjen. Vendimi zyrtar pritet të jepet sot gjatë konferencës së fundit për shtyp pas fitores.

Italia ka marrë pjesë që nga edicioni i parë (1956) dhe ka fituar tre herë – në 1964 (“Non ho l’età” – Gigliola Cinquetti), 1990 (“Insieme: 1992” – Toto Cutugno) dhe 2021 (“Zitti e buoni” – Måneskin).

Pas një ndërprerjeje nga 1998 deri në 2010, Italia u kthye në 2011 me Raphael Gualazzi dhe këngën “Madness of Love”, që përfundoi në vendin e dytë me 189 pikë – rezultati më i lartë për Italinë në dekada.

Në edicionin e fundit, Eurovision 2025, Italia u përfaqësua nga Lucio Corsi me “Volevo essere un duro”. Në finalen e madhe, Italia mblodhi 256 pikë totalisht (vend i 5-të).

Nëse Sal Da Vinci pranon, “Per sempre sì” – një baladë klasike italiane me rrënjë napoletane – do të jetë kandidatja për të sjellë Italinë sërish në majat e Eurovizionit, transmeton rtsh.

Latest Posts

spot_imgspot_img

MOS I HUMB