4 C
Zurich
Sunday, January 25, 2026
spot_img
spot_img

Ruajtja e identitetit kombëtar në diasporë: shembulli frymëzues i familjes Pepaj në Zvicër

Duhet ti lexosh

Nga Dashnim HEBIBI

Mërgata shqiptare në Zvicër prej vitesh është shndërruar në një shtyllë të rëndësishme të ruajtjes së gjuhës, historisë dhe identitetit kombëtar. Ndër personalitetet më të njohura dhe më aktive jo vetëm në Zvicër, por edhe më gjerë në diasporë, është edhe Agim Pepaj, kryetar i Shoqatës Shqiptare “Gjergj Kastrioti – Skënderbeu”, me qendër në Bülach. Përkushtimi i tij ndaj çështjes kombëtare nuk mbetet vetëm në kuadër institucional, por shtrihet edhe në familje, duke u shndërruar në një shembull frymëzues për shumë mërgimtarë shqiptarë.

Duke u folur vazhdimisht fëmijëve të tij për figurat më të ndritura të historisë sonë kombëtare – Gjergj Kastriotin – Skënderbeun, Ismail Qemalin, Adem Jasharin dhe shumë figura të tjera – z. Pepaj ka arritur të mbjellë tek ta dashurinë për atdheun, gjuhën shqipe dhe historinë tonë të lavdishme. Kjo frymë po trashëgohet natyrshëm te brezat e rinj, të cilët po rriten me vetëdije të fortë kombëtare edhe larg trojeve amtare.

Një moment i veçantë krenarie ishte prezantimi i fëmijëve të tij, Hana dhe Gjergji, në shkollën plotësuese në gjuhën shqipe. Me emocion dhe përkushtim, ata prezantuan temën kushtuar kryeheroit tonë kombëtar, Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, pikërisht në përvjetorin e kalimit të tij në amshim. Ky prezantim nuk ishte vetëm një detyrë shkollore, por një dëshmi e gjallë se historia shqiptare po jeton dhe po përcillet me dashuri te brezat e rinj.

“Me krenari dhe emocion, prezantim në shkollën plotësuese në gjuhën shqipe nga Hana dhe Gjergji, me temë të pamposhturin Gjergj Kastrioti – Skënderbeu. Brezat e rinj po mbajnë dhe do ta mbajnë gjallë historinë, identitetin dhe krenarinë shqiptare,” shprehet z. Pepaj, duke reflektuar bindjen se e ardhmja e kombit është e sigurt.

Shembulli i familjes Pepaj nuk është i vetmi. Në mbarë diasporën shqiptare, kudo ku ka mërgimtarë, po zhvillohen aktivitete të shumta kulturore, arsimore dhe kombëtare, me një qëllim të vetëm: ruajtjen e vlerave tona kombëtare. Shkollat plotësuese shqipe „Naim Frashëri“, shoqatat kulturore dhe angazhimi i prindërve po luajnë një rol kyç në këtë mision fisnik.

Këto janë sinjale të qarta dhe inkurajuese se e ardhmja e kombit shqiptar në Zvicër është premtuese. Brezat e rinj nuk do ta harrojnë gjuhën, historinë dhe identitetin e tyre kombëtar. Përkundrazi, ata po rriten me krenari shqiptare, të vetëdijshëm për rrënjët e tyre dhe të gatshëm t’i mbajnë gjallë ato, kudo që jeta t’i çojë. / helveticALforum.ch

- Reklama -spot_img

Më shumë artikuj

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

- Reklama -spot_img

Të ngjashme