1 C
Zurich
Sunday, January 11, 2026
spot_img
spot_img

Rruga e ringritjes nuk është kurrë e lehtë, ajo kalon përmes bashkimit dhe jo përmes përçarjes as dhe përjashtimit

Duhet ti lexosh

Nga Haki LATIFI

“Vae Viktis”, thotë një shprehje e vjetër latine. Që në shqip përkthehet „mjerë të humburit”. Kurrizi i tyre mban gjithçka. Shkaqe te arsyeshme dhe idiote. Inate të bartura, shqelmime të bëfta, anatema, gjykime të formës së prerë. Nga kushdo që ka në dorë një gurë për tua hedhur.

E kam parë fytyrën e humbjes në fytyrën time në pasqyrë. Më është dhënë rasti ti shoh në fytyrën e humbësve të ndryshëm në garat zgjedhore deri në zgjedhjet e fundit të 28 dhjetorit 2025.

Humbja ka një spikamë që të lë të heshtur edhe kur ke diçka për t’i thënë – qortim, kritikë, kërkesë llogarie apo largimi- atij që e mishëron atë në shtangien e tij, në pamjen e tij të menduar, të vrarë, ku duket sikur ora ka ndaluar. Në këtë fragment të trishtë të humbjes heshtja zakonisht e shtyn fjalën për nesër, për pasneser. Sepse e vërteta nuk ikën, nuk ka ku shkon. Aty është. Ajo madje mund të kapet më mirë pasi të ftohen pak emocionet dhe të dekantojë turbullimi.

Rezultati i zgjedhjeve matet me atë që kemi fituar apo që kemi humbur, me aq sa jemi rritur apo jemi zvogëluar. Unë besoj se, në bazë të rezultatit zgjedhor, mund të konfirmohet me siguri fakti se LDK ka pësuar një humbje historike. E vërteta nganjëherë dhemb, por kur dhemb, shëron. Prandaj ta lemë mënjanë hipokrizinë dhe papërgjegjshmërinë dhe t’i qëndrojmë si burrat përballë realitetit. Të pranojmë dhimbjen dhe të vërtetën: Humbja është historike. E tillë është dhe përgjegjësia dhe faji i lidershipit ndaj anëtarësisë dhe votuesve besnik të sajë. E tillë duhet të jetë forca dhe dëshira për t’u ringritur. Një provë tjetër flagrante e papërgjegjshmërisë nuk na duhet. Na duhet e kundërta. Është koha të tregojnë përgjegjshmëri. Është koha të nxjerrin e të mbajnë përgjegjësi. Një vërejtje e domosdoshme, thënë me përgjegjësi dhe pa dëmtuar unitetin: një pjesë e këtij rezultati lidhet me mendjemadhësinë dhe vetëkënaqësinë e disa kandidatëve për deputet, sjellje që e largoi LDK-në nga pritshmëria e qytetarëve. Kjo është një çështje që duhet trajtuar hapur dhe pa kompromis në organet e partisë, për t’u siguruar që kapaciteti dhe integriteti të vendosen sërish në qendër të veprimit në parti.

Për momentin, ndërsa humbja e LDK-së ka ngritur siparin e analizave, reflektimeve , gjykimeve, ripozicionimeve, kurbaneve, e tjerë, mendoj se zgjedhjet janë i vetmi mjet i takimit real me anëtarësinë dhe i legjitimit me votë të lirë të çdo drejtuesi në gjithë piramidën e LDK-së nga nëndega, Dega, Këshilli i Përgjithshëm i LDK-së e deri te kryetari i saj. Këtu e shoh unë zgjidhjen e parë të bashkimit dhe ringritjes e LDK-së.

Përsa i përket analizës së humbjes, mendoj se ajo duhet bëhet vetëm brenda LDK-së dhe ai do të shprehej vetëm brenda strukturave dhe jo në publik.

Mendoj se mënyra më e mirë për të evidentuar shkaqet, për të përcaktuar përgjegjesitë e humbjes, është që në LDK t’i japin zë dhe mundësi të gjitha strukturave dhe anëtarësisë së LDK-së për të thënë fjalën e tyre lirshëm dhe me përgjegjësi në analizën dhe ndryshimin e thellë që nevojitet për të dalë prej saj dhe ringritur përsëri fuqishëm Lidhjen Demokratike të Kosovës. Mendoj se, në këto rrethana, pavarësisht nga emocionet, kundershtitë e pashmangëshme për situata si kjo, rëndësi vendimtare ka që LDK t’u mundesojë të gjithë anëtareve të saj nje proces të drejtë, të ndershëm, të barabartë dhe të pandikuar nga askush për të zgjedhur lidershipin që ata mendojnë dhe gjykojnë se mund t’i çojë si një opozitë e fuqishme drejt fitorës, sa më shpejt, të mendjeve dhe zemrave të qytetarëve të Kosovës. Në sistemin demokratik-shumëpartiak do të thotë të kesh kurajo, të rezistosh dhe mbi të gjitha të besosh se liria funksionon.

Kjo është beteja më e vështirë, ku shumëkush po gjykon shpejt e po jep verdikte nga më absurdet.

Një defekt tjetër e ligjit për zgjedhje është se nëse Kosova do të kishte një sistem zgjedhor me shumë zona, përbërja e parlamentit dhe dinamika e partive politike do të ndryshonin ndjeshëm.

Ndarja në zona zgjedhore siguron përfaqësim rajonal në Kuvend dhe krijon një lidhje më të mirë midis votuesve dhe zyrtarëve të zgjedhur. Në këtë mënyrë secili rajon do të kishte përfaqësuesin e tij dhe kështu përfshirja do të ishte proporcionale. Kjo gjë duhet të bëhet sa më parë në kuadër të ndryshimeve të reformës zgjedhore. Por idealet e një Kosove demokratike, të zhvilluar dhe si gjithë Europa do ti përmbushë vetëm LDK, e djathta shqiptare dhe miqtë tanë në mbarë Europën, në krye me SHBA.

Shpëtimi do të vijë nga idealistët që qëndrojnë dhe jo pragmatistët që gjithmonë kalkulojnë karrierat e radhës, në lëvizjen majtiste të një shumice që kërkon të groposë shpresat e qytetarëve të Kosovës. Rruga e ringritjes nuk është kurrë e lehtë, ajo kalon përmes bashkimit dhe jo përmes përçarjes as dhe përjashtimit.

LDK ka nevojë për një proces të brendshëm zgjedhor, nga baza deri te kupola! Njëherit, nuk duhet të ndikohet nga propozimet preferuese nga koluaret, sepse LDK-ja nuk është kooperativë bujqësore, por parti politike demokratike! Edhe në të kaluarën as i shenjti, Dr.Ibrahim Rugova nuk është propozuar mga kuluaret por nga strukturat partiake dhe gjithnjë iu ka nënshtruar zgjedhjeve, edhe në kohët kur organizimi i zgjedhjeve ka qenë i dënueshëm! Atdheu sot ka nevojë më shumë se kurrë për forcën e zemrës dhe dashurinë tonë!

Kokën lart dhe vetëm përpara! /BS

- Reklama -spot_img

Më shumë artikuj

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

- Reklama -spot_img

Të ngjashme