Tetovë, 4 dhjetor 2025 – Artisti i njohur i fotografisë, Rromir Imami, i cili jeton dhe vepron në Zvicër, do të zhvillojë një punëtori të specializuar për bazat e fotografisë së portretit me studentët e Fakultetit të Arteve në Universitetin e Tetovës (UT). Punëtoria, e titulluar “Një dritë, shumë dritëshkrime”, do të mbahet më 4 dhjetor dhe synon t’i njohë studentët me teknikën dhe estetikën e ndriçimit në portretizim.

Imami shprehu mirënjohjen e tij për ftesën nga Universiteti i Tetovës, duke falënderuar posaçërisht mikeshën dhe ish-kolegen e tij, Jelldez Asani, për mbështetjen dhe angazhimin në realizimin e këtij aktiviteti.
“Të jem mes artit dhe akademisë është gjithmonë një përvojë që më frymëzon—dy botë që e pasurojnë njëra-tjetrën dhe e bëjnë fotografinë edhe më domethënëse,” u shpreh ai, duke theksuar se mezi pret takimin me studentët dhe procesin krijues që do të ndajnë së bashku.
Punëtoria pritet të sjellë përfitime të rëndësishme për studentët, të cilët do të kenë mundësinë të punojnë drejtpërdrejt me një artist profesionist dhe ndërkombëtar të fushës së fotografisë, transmeton helveticALforum.ch ( Foto RR.Imami nga FB)




