Tregu i lodrave të fëmijëve, zë një vend të rëndësishëm në buxhetin e familjeve shqiptare, të cilët gjatë festave të fundvitit shpenzojnë më shumë.
E lidhur me plotësimin e dëshirave dhe kënaqësinë e fëmijëve, lodrat e sjella këtë vit kushtojnë deri në fund të muajit nëntor, 34 mln euro.
Të dhënat e nxjerra nga Doganat, tregojnë se gjatë periudhës janar-nëntor, është importuar sasi e madhe e lodrave, ndërsa blerja dhe shpërndarja e tyre bëhet këtë muaj, si pjesë e traditës së festave për të bërë dhurata.
Në krahasim me vitin e kaluar janë blerë më shumë lodra pasi importet në peshë janë rritur, ndërkohë që në çmim, ato janë blerë më lirë. Pra, rritja e volumit është shoqëruar me ulje të çmimit mesatar për njësi.
Shifrat tregojnë se Kina mbetet shteti kryesor nga i cili importojmë, me 80% të sasisë, ndjekur nga Turqia dhe Italia me 4.8% dhe 4.5% të vëllimi. Ndërkohë, tregu është furnizuar edhe nga Shtetet e Bashkuara, Gjermania, Mbretëria e Bashkuar dhe Greqia.
Ndërkohë, Kina është furnizuesi më i madh i lodrave edhe në Bashkimin Europian me 80% të importeve të lodrave, ndjekur nga Vietnami me 6% dhe Britania e Madhe me 3%, transmeton euronewsal.




