Kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve në vend, Fadil Berjani bën të ditur se si pasojë e zhvillimeve në Lindje të Mesme, janë rritur edhe çmimet e naftës në Kosovë.
Berjani thekson se situata gjeopolitike në Lindjen e Mesme po ndikon drejtpërdrejt tregjet e naftës.
“Rritja e tensioneve dhe rreziku për ndërprerje në prodhim apo transport po shtojnë pasigurinë në furnizimin global, duke shtyrë çmimet e naftës më lart. Vëmendja është veçanërisht te Ngushtica e Hormuzit, një nga rrugët më të rëndësishme të kalimit të naftës në botë”, ka shkruar Berjani në Facebook.
Sipas tij, çdo problem në atë korridor reflektohet menjëherë në tregje dhe zakonisht përkthehet në kosto më të larta të karburantit për konsumatorët.
Ai bën të ditur se çmimet aktuale në Kosovë janë për diesel: 1.18 euro deri 1.25 euro për litër dhe benzina 1.17 euro deri 1.24 euro për litër.
Disa qytetarë sot për KosovaPress kanë thënë se kanë diktuar dje ngritje të çmimeve të derivateve përreth 5 centë për litër.
Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara kryen sulme ajrore ndaj Iranit në orët e para të mëngjesit të së shtunës.
Ato goditën disa vende të rëndësishme, përfshirë kompleksin e udhëheqësit suprem të Iranit, ajatollah Ali Khamenei./BS




