Prokurori i Shtetit ka angazhuar rreth 100 prokurorë dhe zyrtarë të sistemit prokurorial për të garantuar mbrojtjen e votës së lirë dhe integritetin e procesit zgjedhor në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, që po mbahen sot në vend.
Sipas njoftimit zyrtar, prokurorët dhe stafi mbështetës po qëndrojnë kujdestarë në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës deri në përfundim të procesit zgjedhor, me qëllim të trajtimit dhe procedimit të çdo parregullsie të mundshme gjatë votimit.
Prokurorët janë të vendosur në zyrat e prokurorive themelore në qytetet përkatëse, ndërsa në zonat ku nuk ka objekte të prokurorisë, ata po qëndrojnë në stacione policore. Atje, në bashkëpunim me hetuesit e Policisë së Kosovës, po monitorojnë situatën dhe reagojnë ndaj çdo dyshimi për shkelje të ligjit zgjedhor.
Koordinatorja nacionale për zgjedhje, prokurorja Laura Pula, po mbikëqyr zbatimin e detyrave nga koordinatorët rajonalë, prokurorët e angazhuar në terren, si dhe prokurorin me detyrë pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ).
Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit u ka bërë thirrje qytetarëve, subjekteve politike, institucioneve dhe organizatave të ndryshme që të denoncojnë në prokuroritë përkatëse çdo rast për të cilin dyshohet se përbën keqpërdorim apo manipulim të votës, në çfarëdo forme dhe nga kushdo qoftë, transmeton rtk.




