Shqipëria vazhdon të konsolidojë pozitat e saj në hartën e turizmit elitar global. Në një udhërrëfyes të fundit të hartuar nga ekspertë ndërkombëtarë të udhëtimeve, publikuar nga gazeta e famshme britanike “The Times”, Riviera Shqiptare është renditur përkrah destinacioneve përrallore si Korsika në Francë, Bregu i Amalfit në Itali dhe plazheve ekzotike të Meksikës e Karaibeve, si një nga vendet më të mira për të kaluar pushimet verore.
Vlerësimi ndërkombëtar e cilëson bregdetin e jugut si një hapësirë që ofron “ndjesinë e Mesdheut para se të bëhej i famshëm,” duke vlerësuar natyrën e paprekur, koston e përballueshme dhe pasurinë historike.
Ksamil dhe trashëgimia e UNESCO-s në fokus
Megjithëse bregdeti shqiptar po bëhet gjithnjë e më i njohur për turistët e huaj, ekspertët theksojnë se ai ruan ende një tërheqje unike, i ndihmuar nga kodrat e gjelbëruara me ullinj që mbikëqyrin gjiret e arta të detit Jon.
Për ata që kërkojnë të shmangin fluksin e lartë të pushuesve vendas gjatë pikut të verës, artikulli sugjeron eksplorimin e ishujve të Ksamilit me varka të vogla për të gjetur qetësinë. Kjo zonë është veçanërisht tërheqëse për vizitorët e huaj jo vetëm për ujërat e saj të pastra, por edhe për afërsinë me Parkun Kombëtar të Butrintit, një thesar i lashtë i mbrojtur nga UNESCO. Udhërrëfyesi nuk lë pa përmendur edhe pika të tjera të forta të turizmit kulturor, si kështjella madhështore e Gjirokastrës apo amfiteatri romak në Durrës.
Përfshirja e Shqipërisë në këtë listë globale tregon një ndryshim të rëndësishëm në perceptimin ndërkombëtar. Vendi ynë nuk shihet më thjesht si një alternativë e lirë, por si një destinacion që ofron një paketë të plotë: det kristal, histori të lashtë dhe një peizazh që sfidon estetikisht edhe resortet më të shtrenjta të Côte d’Azur apo ishujve grekë, transmeton rtsh.




