Pas një procesi të plotë rikonstruksioni, Kinema “Republika”, një nga simbolet e qytetit të Shkodrës, hap sot dyert për publikun.
Lajmi është bërë i ditur nga Kryeministri Edi Rama, i cili përmes rrjeteve sociale ka ndarë pamjet e godinës së transformuar.
“Kinema ‘Republika’ në Shkodër është gati dhe sot nis shfaqja e filmave,”, shkruan kreu i qeverisë, duke theksuar se godina tashmë ofron standarde moderne.
Investimi ka prekur çdo qelizë të këtij institucioni. Ndërhyrja ka përfshirë fasadën e jashtme, duke i dhënë një pamje dinjitoze, si dhe ambientet e brendshme, të cilat janë kompletuar me infrastrukturë, arredim dhe teknologji të kohës për të garantuar cilësinë maksimale të projeksioneve.
Edhe Kryetari i Bashkisë Shkodër, Benet Beci, përshëndeti hapjen e kinemasë, duke e cilësuar këtë si rikthim të magjisë së filmit “në një ambient që shkëlqen sërish”.
Sipas Becit, ky transformim e vendos Kinema “Republikën” sërish në piedestalin e hapësirave kulturore që i takon qytetit të Shkodrës, transmeton rtsh.




