Libri “Themeluesi-Lidershipi i Ismail Qemalit”, i autorit Evarist Beqiri, rikthehet për lexuesin me një botim të ri të përditësuar, duke vijuar interesin e lartë për figurën dhe modelin e lidershipit të një prej personaliteteve kyçe të historisë shqiptare.
Sipas autorit, qëllimi i veprës që në botimin e parë ka qenë të paraqesë Ismail Qemali jo vetëm si figurë historike, por si një model lidershipi të ndërtuar mbi vizionin, karakterin dhe guximin për të vepruar në kohë pasigurie. Pritja pozitive nga lexuesit dhe përfundimi i katër botimeve të mëparshme me tirazhe të kufizuara, në bashkëpunim me Filara, dëshmojnë për interesin e vazhdueshëm mbi këtë qasje.
Botimi i pestë në gjuhën shqipe dhe botimi i dytë në anglisht, me titull “The Founder”, sjellin përditësime të moderuara në përmbajtje. Ndryshimet përfshijnë përmirësime në formulime, saktësime të elementeve historike dhe zgjerim të materialit fotografik, me synim thellimin e dimensionit dokumentar të librit.
Në thelb të analizës së tij, autori e paraqet Ismail Qemali si një rast të veçantë në historinë shqiptare: një lider që nuk synoi të sundojë shtetin që krijoi, por të ndërtojë institucione mbi parime që tejkalojnë individin. Ky interpretim, sipas Beqirit, mbetet aktual edhe më shumë se një shekull pas shpalljes së pavarësisë.
Libri nuk paraqitet si një biografi klasike, por si një manual reflektimi për lidershipin modern, duke ngritur pyetje mbi balancën mes pragmatizmit dhe parimeve, si dhe mbi rolin e përgjegjësisë publike në drejtimin e shtetit.
Autori thekson se qëllimi i këtij botimi të ri është të nxisë debat më të thelluar mbi lidershipin dhe të ardhmen e jetës publike në Shqipëri, transmeton euronewsal.




