Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Enkel Rexhepi, ka qëndruar për vizitë zyrtare në Tiranë, ku ka zhvilluar një takim në Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Republikës së Shqipërisë me ministren e Jashtme, Elisa Spiropali.
Rexhepi bëri të ditur se gjatë takimit u diskutua gjerësisht për pozitën e shqiptarëve të Luginës së Preshevës dhe nevojën për një qasje të përbashkët, programatike dhe sistematike në adresimin e problematikave me të cilat përballet ky komunitet.
“Bashkë diskutuam të gjitha çështjet që lidhen me Luginën e Preshevës dhe domosdoshmërinë e një angazhimi të koordinuar drejt zgjidhjes së tyre. Nga pasivizimi i adresave dhe mosnjohja e diplomave, te mungesa e teksteve shkollore në gjuhën shqipe, përjashtimi i shqiptarëve nga jeta institucionale, si dhe vazhdimi i mohimit të së drejtës për përdorimin e simboleve kombëtare shqiptare”, ka shkruar Rexhepi në Facebook.
Ai ka falënderuar ministren Spiropali për, siç u shpreh, mikpritjen e ngrohtë dhe vëllazërore, si dhe për gatishmërinë për bashkëpunim të vazhdueshëm në funksion të avancimit të të drejtave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës.Po ashtu, Rexhepi ka shprehur mirënjohje ndaj Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Beograd për koordinimin dhe mbështetjen e vazhdueshme në adresimin e çështjeve që ngre Këshilli Kombëtar Shqiptar. Më shumë Shqipëri dhe Kosovë në Luginë do të thotë më shumë shpresë për shqiptarët e Luginës. Bashkë jemi më të fortë”, ka përfunduar Rexhepi./BS




