“Kryeqyteti i Shqipërisë po fiton gjithnjë e më shumë vëmendje si një nga destinacionet më të përballueshme për pushime në Evropë. Tirana ofron temperatura të ngrohta pranverore që variojnë nga 17°C deri në 21°C gjatë muajit prill, duke e bërë atë ideale për udhëtime të shkurtra dhe ekonomike”, shkruan revista britanike “Express”.
Sipas renditjes së Time Out për vitin 2025, Tirana u pozicionua në krye të listës së destinacioneve evropiane me çmime të përballueshme, duke lënë pas qytete si Zagreb, Krakow dhe Sarajeva.
Përveç çmimeve të ulëta, qyteti është lehtësisht i arritshëm falë fluturimeve direkte nga Mbretëria e Bashkuar, përfshirë aeroportet si Heathrow Airport, Gatwick Airport, Luton Airport, si dhe qytetet Liverpool dhe Manchester.
Sipas revistës, vizitorët në Tiranë mund të eksplorojnë një përzierje unike të historisë dhe kulturës, nga xhamitë e periudhës osmane dhe bunkerët e epokës komuniste, deri te arti modern i rrugës, tregjet e gjalla dhe parqet e bukura. Të gjitha këto e bëjnë Tiranën një zgjedhje ideale për udhëtarët që kërkojnë një eksperiencë të pasur pa shpenzime të larta, transmeton rtsh.




