9.6 C
Zurich
Thursday, December 18, 2025
spot_img
spot_img

Rama pas vizitës në Hagë: Procesi ndaj Thaçit një “teatër turpi”, drejtësia ndërkombëtare po dështon

Duhet ti lexosh

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka vizituar në Hagë ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, i cili po mbahet në paraburgim nga Dhomat e Specializuara.Pas vizitës, Rama ka reaguar publikisht duke shprehur kritika të ashpra ndaj procesit gjyqësor, të cilin e ka cilësuar si të padrejtë dhe të papranueshëm. Ai ka deklaruar se Hashim Thaçi është larguar nga detyra e presidentit dhe është dërguar në paraburgim pa gjyq dhe pa aktakuzë të konfirmuar në momentin e arrestimit, duke e quajtur këtë një “teatër të turpit të drejtësisë ndërkombëtare”.

Rama ka theksuar se procesi ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nuk mund ta njollosë luftën çlirimtare të popullit të Kosovës, duke shtuar se akuzat e ngritura, të cilat kanë origjinë nga raporti për trafik organesh, “nga kukullat ruse të Dumës së Putinit në Strasburg dhe e vazhduar me lloj-lloj absurditetesh e dëshmitarësh groteskë të akuzës ndërkombëtare në Hagë”.

Duke folur për takimin, kryeministri shqiptar ka thënë se Thaçin e ka gjetur në gjendje të mirë shpirtërore, të qetë dhe të vendosur, pavarësisht, sipas tij, kufizimeve të pajustifikueshme të të drejtave themelore, të cilat janë shtuar krahasuar me vizitat e mëparshme.

“E kam gjetur komandantin në formë, të qetë e të buzëqeshur si çdo i pafajshëm me karakter të hekurt…”, ka shkruar Rama.

Sipas tij, gjatë takimit kanë biseduar për familjen, miqtë e përbashkët, Shqipërinë dhe Kosovën, si dhe për libra dhe leximet që Thaçi po i ndjek gjatë qëndrimit në paraburgim, të cilin ish-presidenti i Kosovës, sipas Ramës, e quan me ironi “institut”.

Kryeministri i Shqipërisë e ka cilësuar ndalimin e gjatë të Thaçit dhe të të akuzuarve të tjerë si një padrejtësi të rëndë në zemër të Evropës demokratike, duke theksuar se kjo situatë po ndodh me mbështetjen e vendeve evropiane dhe të Shteteve të Bashkuara, si dhe me fonde të taksapaguesve evropianë dhe amerikanë.

Në përfundim të reagimit të tij, Rama ka shprehur mbështetje për Republikën e Kosovës, Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe ish-krerët e saj që po mbahen në paraburgim prej më shumë se pesë vjetësh, transmeton rtk.

- Reklama -spot_img

Më shumë artikuj

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

- Reklama -spot_img

Të ngjashme