Kryeministri Edi Rama ka marrë pjesë sot në promovimin e librit të diplomatit amerikan, Christopher Hill.
Në fjalën e tij në këtë ceremoni, teksa e cilësoi diplomatin amerikan si një prej njohësve më të thellë të rajonit, kryeministri Rama vlerësoi kontributin e Hill në komunikimin mes popujve të Ballkanit dhe SHBA-ve.
“Diçka mund ta them me siguri se Chris Hill është ndoshta i vetmi diplomat amerikan që ka shërbyer si ambasador në këtë rajon që nuk e kupton Ballkanin nga distanca, por nga brenda. Ai e ka jetuar Ballkanin në të gjithë këndet e tij. Praktikisht e ka përshkruar të gjithë hartën e tij.
Ka qenë i pranishëm si mjeshtër përshpëritës. Ajo çfarë di, është që unë u impresionova kur e kam takuar për herë të parë Chris Hill. Nuk më dukej si burgosës i njerëzve të opozitës dhe së dyti, më imperesionoi mënyra me të cilën dëgjonte. Nuk është virtyt ky i ambasadorëve amerikanë”, deklaroi Rama.
Kryeministri risolli në kujtesë momentin e parë kur ka dëgjuar për herë të parë për diplomatin amerikan Hill.
“Kur dëgjova për herë të parë për Hill ishte kur më thanë se kishte çuar Fatos Nanon në burg. Ishte një mënyrë shumë mbresëlënëse pwr të lënë pas emrin pasi sapo kishe hyrë në Shqipëri dhe nuk ishte angazhuar në asnjë reformë por thjesht kishe çuar në burg dikë dhe ishe larguar”, tha Rama.
Kryeministri theksoi në përfundim të fjalës së tij se nëse do i duhej të shkruante një libër për ambasadorët amerikanë në rajon, titulli do ishte: “Fantazma dhe Primadonnat”, duke argumentuar më tej dhe zgjedhjen e tij për titullin e librit.
“Po të isha porositur për të shkruar një libër për ambasadorët amerikanë në rajon, titulli do ishte: Fantazma dhe Prima Donnat. Fantazmat ishte Chris Hill dhe gjithë të tjerët Primadonna.
E çuditshme se teksa koha kalon primadonnat zbehen dalëngadalë, fantazma jo. Emri i tij, riciklohet gjithmonë. Po kështu shoqërohet me disa teori shumë tërheqëse konspirative”, përfundoi Rama, transmeton rtsh.




