Bruksel – Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, mori pjesë këtë të martë në Samitin e Euronews 2026 për Turizmin, që u zhvillua në Bruksel, ku foli për rritjen e numrit të turistëve në Shqipëri dhe planet për zgjerimin e infrastrukturës turistike dhe aeroportuale.
Gjatë fjalës së tij, Rama deklaroi se Shqipëria ka shënuar një rritje të ndjeshme të numrit të vizitorëve të huaj, duke theksuar se objektivi i vendit është zgjerimi i tregjeve turistike përtej vendeve tradicionale.
Sipas kryeministrit, gjatë vitit të kaluar Shqipëria priti rreth 12 milionë të huaj. Ai përmendi ndër të tjera turistë nga Japonia, Shtetet e Bashkuara, Amerika Latine, Kina, Izraeli dhe vendet e Lindjes së Mesme.
“Objektivi ynë është bota, se po zbulojmë që të gjitha pjesët e botës po marrin pjesë në këtë rritje”, u shpreh Rama, duke e lidhur këtë zhvillim me transformimin e sektorit të turizmit në vend.
Një pjesë e rëndësishme e fjalës së kryeministrit iu kushtua infrastrukturës aeroportuale. Rama deklaroi se aeroporti i Rinasit ka shënuar rritje të shpejtë dhe, sipas tij, ka kaluar aeroportet e tjera të rajonit për nga ritmi i zhvillimit, duke përmendur edhe aeroportin e Beogradit.
Ai njoftoi gjithashtu për planet për zgjerimin e mëtejshëm të rrjetit aeroportual shqiptar. Krahas aeroportit të Vlorës, Rama tha se po punohet për hapjen e një aeroporti sezonal në jug të vendit, ndërsa përmendi edhe përpjekjet për rikthimin në funksion të aeroportit të Kukësit.
“Ne nuk kemi infrastrukturën më të mirë në botë. Kemi një aeroport që është me rritjen më të shpejtë në Evropë. I kemi lënë fqinjët pas për të pestin ose gjashtin vit. Kemi lënë pas aeroportin e Beogradit”, deklaroi Rama.
Kryeministri foli edhe për strategjinë e investimeve në turizëm, duke theksuar se synimi nuk është vetëm rritja e numrit të turistëve, por edhe tërheqja e vizitorëve që kanë një nivel më të lartë shpenzimesh gjatë qëndrimit në Shqipëri. Sipas tij, investimet në infrastrukturë dhe në kapacitetet turistike synojnë ta pozicionojnë Shqipërinë si një destinacion që tërheq jo vetëm turistë me të ardhura të mesme, por edhe turistë të kategorive me shpenzime më të larta. Pjesëmarrja e Shqipërisë në Samitin e Euronews për Turizmin u shfrytëzua nga kryeministri Rama për të paraqitur zhvillimet e sektorit dhe planet për zgjerimin e infrastrukturës, në një kohë kur turizmi vijon të jetë një prej sektorëve kryesorë të ekonomisë shqiptare, transmeton euronewsal.









