4.8 C
Zurich
Thursday, January 29, 2026
spot_img
spot_img

Rama intervistë për ‘Le Monde’: Te ne ekziston uniteti i fortë në përkatësinë evropiane

Duhet ti lexosh

“Edi Rama – një lider që mbetet vetvetja, mes pikturës, sportit dhe vizionit evropian”, kështu e përmbledh prestigjiozja franceze Le Monde intervistën me Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, realizuar në ambientet e Kryeministrisë në Tiranë. Në intervistë, Rama ndalet gjerësisht te rritja e interesit të turistëve të huaj për Shqipërinë, veçanërisht vitet e fundit, mes tyre edhe një numër gjithnjë në rritje shtetasish francezë. Sipas tij, vendi ka arritur më në fund të flasë vetë, përmes bukurisë së natyrës, kulturës dhe mikpritjes, duke kapërcyer paragjykimet që për dekada e kanë shoqëruar në sytë e botës.

Kryeministri thekson se vizitorët zbulojnë sot një Shqipëri evropiane, të hapur dhe mikpritëse, ku bashkëjetesa fetare është një vlerë e rrënjosur dhe ku, pavarësisht diversitetit, ekziston një unitet i fortë rreth identitetit evropian dhe aspiratës për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

“Jam shumë i lumtur, sepse më në fund Shqipëria është në gjendje t’u flasë francezëve që e vizitojnë përmes bukurisë së saj. Ata e admirojnë vendin pa paragjykimet që për një kohë të gjatë e kanë shoqëruar në sytë e botës, të Evropës dhe të Francës. Ata zbulojnë një vend evropian, që e do Francën, një vend të bukur dhe mikpritës, ku fetë bashkëjetojnë në harmoni të plotë dhe ku, pavarësisht diversitetit fetar, ekziston një unitet i fortë në përkatësinë evropiane dhe në dëshirën për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian”, shprehet kryeministri.

Intervista e plotë:

Para se të bjerë nata në Tiranë, do të takoj folësin më të njohur të gjuhës frënge në Shqipëri: Kryeministrin Edi Rama. Ai më pret në kopshtin, në zemër të zyrave të tij.

Edi Rama nuk është një udhëheqës si të tjerët. Që në momentin kur hyn në zyrën e tij, e kupton se nuk po hyn në botën e një politikani të zakonshëm. Një kosh basketbolli i varur në mur është një kujtesë e së kaluarës së tij si sportist i nivelit të lartë. Përreth, vizatime shumëngjyrëshe, veprat e tij, dëshmojnë për një pasion të përjetshëm, pikturën.

Burri që e ka udhëhequr Shqipërinë që nga viti 2013 e ka mësuar frëngjishten në rininë e tij, gjatë një qëndrimi në Cité Internationale des Arts në Paris.

Që atëherë, kjo gjuhë e ka shoqëruar vazhdimisht. Prandaj, sot do të takoj një folës të jashtëzakonshëm të frëngjishtes.

Përshëndetje.

Mirëmëngjes, z. Kryeministër.

Gazetari: Z. Kryeministër, para se të fillojmë intervistën, po ju rrëfehem diçka po mendoja nëse duhet të ndërroja atletet. Që kur ju pashë duke mirëpritur krerët e shteteve në samitin evropian në Tiranë, mendova se nuk po i përmbaheshit saktësisht kodit klasik të veshjes. Ky stil i pazakontë, a është një mënyrë për të projektuar një imazh modern, ndryshe nga perceptimi tradicional për Shqipërinë?

Edi Rama: Jo. Ka më shumë të bëjë me të qenit vetvetja. Përndryshe, nuk do të isha vetvetja. Pse duhet të ndryshoj për t’u paraqitur sikur jam pjesë e një shfaqjeje? Jam unë, dhe kaq. Megjithatë, gjërat po ndryshojnë. Ka edhe të tjerë që po fillojnë të veshin atlete.

Gazetari: A është njohja e gjuhës frënge një aset në funksionin tuaj si kreu i qeverisë, veçanërisht në marrëdhëniet ndërkombëtare?

Edi Rama: Frëngjishtja nuk është më gjuha e marrëdhënieve ndërkombëtare. Më vjen keq ta them, por kjo është anglishtja. Megjithatë, të flasësh frëngjisht më bën të ndihem vërtet si në shtëpi. Është një ndjesi që të lejon ta përjetosh thellë një kulturë, e cila përndryshe humbet në anglisht ose në shqip. Prandaj, kur kemi fatin ta eksplorojmë drejtpërdrejt, është diçka vërtet e jashtëzakonshme.

Gazetari: Gjatë udhëtimit tonë kemi vënë re një rritje të ndjeshme të numrit të turistëve, mes tyre edhe shumë frankofonë. Si e shpjegoni këtë interes të madh për Shqipërinë?

Edi Rama: Jam shumë i lumtur, sepse më në fund Shqipëria është në gjendje t’u flasë francezëve që e vizitojnë përmes bukurisë së saj. Ata e admirojnë vendin pa paragjykimet që për një kohë të gjatë e kanë shoqëruar në sytë e botës, të Evropës dhe të Francës. Ata zbulojnë një vend evropian, që e do Francën, një vend të bukur dhe mikpritës, ku fetë bashkëjetojnë në harmoni të plotë dhe ku, pavarësisht diversitetit fetar, ekziston një unitet i fortë në përkatësinë evropiane dhe në dëshirën për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian.

Gazetari: Z. Kryeministër, nëse do t’ju duhej ta përkufizonit Tiranën me një fjalë, cila do të ishte ajo?

Edi Rama: Dëshira për të ardhmen.

Gazetari: Po Shqipërinë?

Edi Rama: Dashuria për të tjerët.

Gazetari: Faleminderit, z. Kryeministër, që më pritët në kopshtin tuaj.

“Edi Rama – një lider që mbetet vetvetja, mes pikturës, sportit dhe vizionit evropian.”

Në kopshtin e Kryeministrisë, një bisedë për gjuhën frënge, artin, identitetin dhe Shqipërinë që flet përmes bukurisë së saj në të gjitha stinët dhe qytetet, transmeton oranews.

- Reklama -spot_img

Më shumë artikuj

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

- Reklama -spot_img

Të ngjashme