BallinaDiasporaRama: “BE-ja po shkon drejt ajsbergut, Europa duhet të rifitojë guximin”

Rama: “BE-ja po shkon drejt ajsbergut, Europa duhet të rifitojë guximin”

-

Kryeministri shqiptar në “Welt am Sonntag”: Shqipëria kërkon anëtarësimin në BE, mbështes heqjen e vetos dhe kërkoj një Europë më konkurruese. Nga lufta kundër korrupsionit te projekti i Jared Kushner dhe emigracioni, Rama komentoi zhvillimet kryesore në Shqipëri dhe Europë.

Kryeministri Edi Rama ka bërë një pasqyrë të zhvillimeve politike, ekonomike dhe gjeopolitike në Europë dhe Shqipëri në një intervistë për gazetën gjermane “Welt am Sonntag”. Në qendër të deklaratave të tij ishte e ardhmja e Bashkimit Europian, procesi i integrimit të Shqipërisë, zgjerimi drejt Ballkanit Perëndimor, lufta kundër korrupsionit dhe sfidat ekonomike e demografike të kontinentit.

Rama e ka krahasuar Bashkimin Europian me “Titanikun”, duke argumentuar se Europa po përballet me një sërë problemesh që kërkojnë ndryshime të thella në mënyrën se si funksionon Unioni.

Sipas tij, “ajsbergu” është identifikuar tashmë nga raporti i Mario Draghit për konkurrueshmërinë europiane. Rama vlerëson se BE-ja ka mbetur pas aktorëve të tjerë të mëdhenj në inovacion dhe konkurrueshmëri dhe se i mungon aftësia për të marrë vendime të guximshme dhe strategjike.

Megjithatë, pavarësisht kritikave, Rama e konsideron Bashkimin Europian projektin politik më vizionar të historisë moderne dhe thekson se Shqipëria dëshiron të bëhet pjesë e tij.

“Ballkani Perëndimor është vrima në mes të Europës”

Duke folur për zgjerimin e BE-së, Rama e ka cilësuar Ballkanin Perëndimor si një “vrimë” në hartën europiane, duke paralajmëruar se boshllëku mund të shfrytëzohet nga aktorë të tjerë ndërkombëtarë.

Ai ka përmendur Rusinë, Kinën dhe Turqinë, por ka bërë dallime mes tyre. Sipas Ramës, Rusia përbën një kërcënim real, ndërsa Kina nuk duhet parë domosdoshmërisht përmes një narrative imperialiste. Për Turqinë, kryeministri shqiptar tha se nuk sheh rrezik për Ballkanin Perëndimor dhe e përshkroi rolin e saj si një ndërhyrje për stabilitet dhe paqe.

Rama ka mbështetur gjithashtu idenë e ndryshimit të mënyrës së vendimmarrjes në BE, duke argumentuar se vetoja e një shteti të vetëm nuk duhet të jetë në gjendje të bllokojë vendimet e të gjithë Unionit.

“Është absurde që një vend i vetëm anëtar të mund të bllokojë gjithçka”, është shprehur ai, duke e lidhur këtë nevojë me konkurrencën globale me SHBA-në, Kinën dhe Indinë.

Anëtarësimi i Shqipërisë dhe Ukraina

Në lidhje me procesin e integrimit, Rama ka kërkuar që Shqipërisë t’i kërkohen më shumë reforma dhe detyra, por njëkohësisht ka insistuar që perspektiva e anëtarësimit të jetë konkrete.

Duke iu referuar Ukrainës, ai argumentoi se procesi tradicional i zgjerimit nuk është i mjaftueshëm përballë realiteteve të reja gjeopolitike. Sipas tij, Ukraina duhet të jetë pjesë e tryezës europiane dhe anëtarësimi duhet të lidhet me performancën dhe përmbushjen e kritereve.

Rama solli në vëmendje edhe figurën e ish-kancelarit gjerman Helmut Kohl dhe mënyrën se si u trajtua bashkimi i Gjermanisë pas rënies së Murit të Berlinit, duke e përdorur atë si shembull për nevojën që Europa të tregojë më shumë guxim politik.

SPAK dhe lufta kundër korrupsionit

Një pjesë e rëndësishme e intervistës iu kushtua situatës së brendshme politike në Shqipëri dhe luftës kundër korrupsionit.

Rama deklaroi se Shqipëria ka kaluar nga një sistem ku korrupsioni ishte pjesë e mënyrës së funksionimit të shtetit në një situatë ku institucionet po hetojnë dhe ndjekin penalisht zyrtarë të niveleve të larta.

Duke folur për SPAK-un dhe hetimet ndaj zyrtarëve, kryeministri pranoi se procesi është i dhimbshëm dhe shprehu rezerva për disa procedura, të cilat, sipas tij, nuk janë gjithmonë në përputhje me standardet europiane.

Megjithatë, ai e cilësoi forcimin e institucioneve të drejtësisë si pjesë të një procesi të vështirë dhe të pashmangshëm.

I pyetur për përgjegjësinë e tij politike në një situatë ku persona që kanë qenë pjesë e rrethit të tij politik janë përballur me hetime dhe arrestime, Rama e lidhi përgjegjësinë e tij me faktin se institucionet shqiptare tashmë kanë mundësi t’u kërkojnë llogari zyrtarëve të lartë.

Projekti i Jared Kushner dhe protestat

Një tjetër temë e diskutuar ishte projekti i resortit luksoz të lidhur me Jared Kushner dhe protestat e zhvilluara në Shqipëri.

Rama tha se shqetësimet e protestuesve janë legjitime, por kundërshtoi akuzat se qeveria po “shet” Shqipërinë. Sipas tij, projekti nuk ka ende një kontratë përfundimtare dhe vlerësimi i ndikimit në mjedis është ende në proces.

Kryeministri argumentoi gjithashtu se bëhet fjalë për dy projekte të ndara, duke theksuar dallimin mes pronës publike dhe asaj private.

Në lidhje me vëmendjen ndërkombëtare që ka marrë çështja, Rama e lidhi një pjesë të saj me marrëdhëniet politike në SHBA dhe me figurën e Donald Trump. Ai kritikoi demokratët amerikanë që, sipas tij, po e zhvendosin konfliktin politik amerikan në Shqipëri.

Ekonomia, emigracioni dhe plakja e Europës

Në pjesën ekonomike të intervistës, Rama mbrojti performancën e Shqipërisë dhe foli për rritjen ekonomike, zhvillimin urban dhe potencialin e vendit në turizëm dhe energji.

Ai pranoi se pagat mbeten të ulëta dhe se emigracioni i të rinjve është një problem, por e lidhi këtë edhe me lëvizjen e lirë të fuqisë punëtore në Europë.

Sipas tij, Shqipëria duhet të përfitojë nga avantazhet që ka, përfshirë klimën, turizmin, ushqimin, mikpritjen dhe prodhimin e energjisë nga burime të rinovueshme.

Por, për Ramën, sfida nuk është vetëm shqiptare. Ai e zhvendosi vëmendjen te e ardhmja demografike e Europës, duke paralajmëruar për plakjen e popullsisë dhe nevojën për një debat më realist mbi emigracionin.

Ai argumentoi se Europa duhet të përcaktojë se çfarë lloj emigracioni i nevojitet dhe të shmangë përdorimin e kësaj çështjeje vetëm si instrument politik.

“Europa duhet të zgjohet”

Në përfundim, mesazhi kryesor i Ramës ishte se Europa duhet të ndryshojë mënyrën se si e sheh të ardhmen.

Sipas tij, ndërsa SHBA-ja dhe Kina investojnë në teknologji dhe inteligjencë artificiale, Europa rrezikon të humbasë kohë duke u përqendruar në konflikte të brendshme dhe çështje që nuk adresojnë sfidat strategjike të kontinentit.

Për Ramën, zgjerimi i BE-së, rritja e konkurrueshmërisë, reforma e mekanizmave të vendimmarrjes, menaxhimi i emigracionit dhe përballja me plakjen e popullsisë janë pjesë e së njëjtës sfidë.

Nëse Europa nuk ndryshon, argumenton ai, “Titaniku” mund të përballet me ajsbergun që tashmë është në horizont, transmeton rtsh.

Loading posts…
- Reklama -spot_img

Duhet ti lexosh

Nga Kosova në Vjenë: Libri i Dr. Nijazi Halilit për Ballkanin hyn në Bibliotekën...

0
Përgatiti Dashnim HEBIBI Vepra “Balkans, Peninsula of Crisis – Failure of Diplomatic Management” do të përfshihet në koleksionin e Bibliotekës Kombëtare Austriake. Autori e cilëson këtë si një hap të rëndësishëm për...