Rajoni i Lindjes së Mesme është përfshirë nga një valë e re dhe e rrezikshme konflikti. Pas sulmeve të koordinuara nga SHBA dhe Izraeli ndaj objektivave strategjikë në Iran, Teherani është përgjigjur me një ofensivë të gjerë raketore. Sulmet kanë goditur pika kyçe në Emiratet e Bashkuara Arabe, Kuvajt, Liban dhe Erbil të Irakut, duke shënjestruar prezencën diplomatike dhe ushtarake amerikane.
Adelina Dervishleri, një shtetase shqiptare që jeton prej 15 vitesh në qytetin e Erbilit, rrëfeu në një intervistë për emisionin “Në Radio” me Andri Xhahun, tmerrin e netëve nën bombardime.
Ndonëse Adelina ka parë trazira të shumta gjatë 15 viteve në Irak, ajo thekson se këtë herë gjithçka është ndryshe. “Për momentin situata është jo e mirë. Sot në mëngjes ka pasur shumë bombardime dhe sulme me raketa në aeroport. Situata është shumë e ndërlikuar”.
Përveç rrezikut nga qielli, banorët po përballen me një krizë të rëndë humanitare. Që prej datës 27 shkurt, energjia elektrike dhe uji i pijshëm mungojnë pothuajse totalisht. “Furnizohemi vetëm dy orë me drita, nga ora 12 e natës deri në orën 2 të mëngjesit”, tregon Adelina.
Përshkrimet e saj për momentet e sulmit janë tronditëse. “Sulmet kanë ndodhur shumë afër zonës ku banoj. Sa dhe vila dridhej nga bombardimet. Jam ngjitur lart në tarracë, ishte katastrofë t’i shikoje, raketat vinin si zogj që fluturonin. Dukeshin edhe shpërthimet.”
Sipas dëshmisë së saj, objektivat kryesore të raketave iraniane kanë qenë pikat strategjike. “Dje në darkë kanë sulmuar konsullatën amerikane në Erbil. Dje dhe sot ka pasur sulme drejt aeroportit. Unë jetoj rreth 20 minuta larg aeroportit”, thotë ajo.
Edhe pse qyteti ka qenë historikisht i sigurt për shkak të pranisë së ambasadave, këtë radhë Adelina thotë se “nuk ka asnjë garanci”. Gjatë ditës jeta duket sikur vijon në një qetësi të rreme, por pas orës 20:00 gjithçka ndryshon. “Policët apelojnë të rrimë mbyllur dhe të mos dalim jashtë. Raketat dëgjohen shumë gjatë natës.”
Nga një komunitet prej mbi 50 shqiptarësh që kanë qenë dikur në atë zonë, pothuajse të gjithë janë larguar. Adelina tregon se ka mbetur edhe një mik i saj shqiptar që punon në aeroport, i cili është në dilemë për t’u kthyer në Shqipëri për shkak të rrugës së gjatë tokësore.
Për Adelinën, vendimi është marrë: ajo do të kthehet në Shqipëri. “Nga kompania e punës na kanë lënë të lirë kush mundet të largohet. Mua më jepet mundësia me rrugë tokësore. Ata që janë nga Filipinet, India apo Pakistani nuk munden. Aeroporti nuk është më në funksionim, por nesër do të kthehem në rrugë tokësore, nga Kurdistani dhe Turqia.”
Pavarësisht se punon në një hotel që ka strehë mbrojtëse dhe ku puna vazhdon për turistët, frika mbetet konstante. “Frika më e madhe është se nuk dihet se ku mund të hidhen raketat. T’i shikosh raketat mbi kokë…”
Në mbyllje të rrëfimit, Adelina nuk i mbajti dot lotët kur u pyet për familjen në Shqipëri. “Janë shumë të shqetësuar…”, tha ajo mes ngashërimit, duke premtuar se do të njoftojë sapo të nisë rrugëtimin e vështirë drejt atdheut, me shpresën se nëse situata rregullohet, një ditë mund të kthehet përsëri në vendin ku jetoi për 15 vite, transmeton rtsh.




