POSTIMET E FUNDIT

Rai Uno, dokumentar për Nënë Terezën

“Na kujton se dashuria është çelësi i paqes në botë”

Verë, 1968. Roma e “La Dolce Vita-s” dhe madhështisë katolike fsheh pas fasadave të saj një plagë që pak kush guxon ta shohë.

Me ftesë të Papa Palit të Gjashtë, në Qytetin e Përjetshëm mbërrin një grua trupvogël, por me një mision gjigant. Nëna Terezë nuk gjeti këtu vetëm shkëlqimin e Vatikanit, por edhe një dëshpërim që i ngjante mjerimit të skajshëm të Indisë.

Pranë Ujësjellësit Felice, në Tor Fiscale, aty ku dritat e shoqatave bamirëse shuheshin për t’u bërë vend hijeve të harresës, u vendosën shtatë murgeshat e para.

“Motrat indiane”, siç i pagëzoi lagja, nuk erdhën si vizitore, por si banore të barakave pa dritë e pa ujë. Një jetë ku shenjtëria nuk kërkohej në altarë, por në mesin e të sëmurëve dhe të braktisurve të periferisë romake.

Dokumentari “Nëna Terezë në Romë”, një prodhim i “Lampic Film” prezantuar nga Rai Documentari, na kthen pas në kohë përmes dorëshkrimeve të Sergio Mercanzin, David Naglieri dhe Antonio Farisi.

Nuk është thjesht një film biografik, por një udhëtim në “rrethin ekzistencial”, siç do ta quante vite më vonë Papa Françesku.

Intuita e Nënës Terezë e kuptoi herët se varfëria e Perëndimit ishte më e rëndë se ajo e Lindjes, dhe ajo ishte varfëria e shpirtit.

Sot, dekada më pas, muret e barakave janë zëvendësuar me pallate, por dëshpërimi i heshtur mbetet i njëjtë.

Ky dokumentar shërben si një pasqyrë për të parë se sa pak ka ndryshuar në thelbin e vuajtjes njerëzore dhe sa e nevojshme mbetet ajo dritë që nisi në Tor Fiscale. Një histori kujtimesh, arkivash dhe filmash të vjetër që na kujtojnë se dashuria është çelësi i paqes në botë, transmeton tvklan.

Latest Posts

spot_imgspot_img

MOS I HUMB