Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me zëvendëskryeministrin në detyrë, Besnik Bislimi, priti sot në një takim ambasadorë, të ngarkuar me punë, shefa të misioneve diplomatike dhe përfaqësues diplomatikë të akredituar në Kosovë.
Sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit, në kuadër të komunikimit të rregullt me partnerët ndërkombëtarë dhe zhvillimeve të fundit në vend, Kurti dhe Bislimi i informuan diplomatët për fazat e zbatimit të Ligjit për të Huajt dhe Ligjit për Automjetet. Këto ligje janë të harmonizuara me legjislacionin e Bashkimit Evropian dhe synojnë lehtësimin e qëndrimit të shtetasve jorezidentë në Kosovë.
Faza e parë e zbatimit, e cila nis sot, parasheh një periudhë informimi mbi dispozitat ligjore. Vizitorët që hyjnë në vendkalimet kufitare do të pajisen me materiale informuese me udhëzime të qarta mbi të drejtat, detyrimet dhe procedurat përkatëse. Paralelisht, do të organizohen sesione informuese me qytetarë, fushata përmes mediave dhe do të funksionojnë linja telefonike informuese. Kjo fazë do të zgjasë deri më 15 mars, kur pritet të fillojë zbatimi i plotë i ligjeve.
Po ashtu, kryeministri në detyrë i njoftoi ambasadorët për domosdoshmërinë e fillimit të integrimit gradual të sistemeve të shëndetësisë dhe arsimit, si pjesë e një qasjeje gjithëpërfshirëse dhe afatgjate. Ai theksoi se ky proces do të zhvillohet në koordinim me Bashkimin Evropian, duke marrë parasysh brengat dhe këshillat e komunitetit joshumicë serb në Kosovë. Në fund, Kurti ritheksoi përkushtimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për sundimin e ligjit, zbatimin e barabartë të legjislacionit dhe forcimin e rendit juridik në të gjithë vendin, transmeton rtk.




