Mungesa e banesave dhe kërkesa e lartë për prona në zona elitare po çojnë në çmime rekord në kantonin e Cyrihut. Një nga shembujt më të fundit që ka tërhequr vëmendje është shitja e një shtëpie 60-vjeçare për plot 18 milionë franga zvicerane.
Ndërtesa vetë nuk ka vlera të veçanta arkitekturore, por vlera e jashtëzakonshme e parcelës e shtyn çmimin në lartësi të reja. Në Cyrih, si në shumë qytete zvicerane, toka në zonat me pozicion strategjik është faktori kryesor i vlerës, jo objekti mbi të.
Jo rasti i vetëm: çmime marramendëse edhe në oferta të tjera
Kjo nuk është oferta e parë që ka bërë bujë. Vetëm disa muaj më parë, agjenti imobiliar Ginesta shiti një shtëpi të vitit 1952 për 6 milionë franga, sërish falë pozicionit në një zonë banimi me koeficient të lartë ndërtimi. Këto raste po bëhen gjithnjë e më të zakonshme, duke reflektuar presionin e madh mbi tregun imobiliar në zonat pranë liqenit dhe në qendrat urbane.
Ndërkohë, një tjetër agjent imobiliar në Herrliberg ka nxjerrë në shitje një parcelë prej 2200 metrash katrorë. Sipas njoftimit, kjo tokë në “zemrën e komunës sër bukur Herrliberg” përfaqëson një mundësi të veçantë për investitorë dhe zhvillues, falë madhësisë dhe vendndodhjes së saj. Megjithatë, prona ka një kufizim të rëndësishëm: një hambar historik i vitit 1890 nuk lejohet të prishet, gjë që e ul potencialin ndërtimor dhe për pasojë edhe çmimin, i cili qëndron në 12 milionë franga.
Potencial për zhvillim: deri në 14 apartamente të reja
Pavarësisht kufizimeve, zhvilluesit shohin mundësi të mëdha. Sipas kompanisë që e ofron pronën, hambari i vjetër mund të transformohet në hapësira moderne banimi përmes një qasjeje të zgjuar arkitekturore. Një studim fizibiliteti tregon se në këtë parcelë mund të krijohen gjithsej 1480 metra katrorë banim:
- 780 m² duke shfrytëzuar tokën e lirë të parcelës
- 700 m² duke adaptuar ndërtimin ekzistues historik
Kjo do të lejonte ndërtimin e deri në 14 apartamente, një zgjidhje e vlefshme në një treg ku kërkesa për banesa është shumë më e madhe se oferta, transmeton 20min.ch, përgatiti helveticALforum.ch
(Foto ilustrim)




